Transmetuar më 05-12-2017, 07:35

Pasi e tërhoqi ligjin e ri të strehimit nga Parlamenti, qeveria ka marrë më shumë se dy muaj kohë për të bërë korrigjimet dhe për ta sjellë në një variant të përpunuar. Drafti i ndryshuar kaloi për miratim në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Gazeta “panorama” zbardh sot skemën e re të mbështetjes sociale, programet që shtohen rishtazi si edhe familjet që do të kenë përparësi. Gjithsej do të jenë 6 programe sociale, që do të zbatohen për t’i ardhur në ndihmë të pastrehëve.

Krahas programit të banesave sociale me qira dhe shpërndarjes së banesave me kosto të ulët, janë përfshirë edhe disa programe të tjera, siç është ai për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, krijimi i strehëve të përkohshme si edhe për ndërtimin e banesave të specializuara. Nga të dhënat zyrtare, në vendin tonë rezultojnë 35 mijë familje në nevojë. Rreth 13 mijë janë të përqendruara në Tiranë, aty ku edhe kërkesat për strehim janë edhe më të mëdha.

Për secilën nga alternativat e strehimit do të aplikohen kritere specifike të detajuara edhe në ligjin “Për strehimin social”. Programi i banesave me qira, do të mundësohet nga fondi i banesave që bashkitë do të kenë në dispozicion, të cilat mund të ndërtohen apo të blihen nga tregu i lirë. Një pikë e ndryshuar është ajo e kontratës me investitorët. Këta të fundit do të kenë detyrimin që, për çdo sipërfaqe ndërtimi mbi 2 mijë metër katrorë dhe jo 1 mijë, sikundër ishte caktuar më herët, 50 metra t’i kalojnë në favor të bashkisë. Sakaq, për herë të parë në ligj, është përfshirë edhe koncepti i “pronarit social”.

Çdo fillimviti bashkitë do të bëjnë thirrje për ata ndërtues, që janë të interesuar për të dhëna banesa me qira. Me bashkinë ndërmjetëse, kushtet e kontratës janë të atilla që lehtësojnë qiranë mujore për familjen dhe nga ana tjetër ofrojnë lehtësi edhe për pronarin, i cili do të taksohet në nivel minimal. Për programin e banesave sociale me qira, kriter është niveli i të ardhurave, kjo për vetë faktin që familja duhet të jetë në kushtet për të përballuar pjesën tjetër të qirasë. Ndërkohë, në rastin e subvencionimit të qirasë apo bonusit të strehimit, përparësi do të kenë personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, invalidët, viktimat e dhunës, fëmijët e policëve të rënë në detyrë si edhe emigrantët e kthyer.

“Pagesa që duhet të bëjë familja për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së subvencionimit të qirasë, nuk duhet t’i kalojë 30 për qind të të ardhurave të familjes”, thuhet në nenin 39 të ligjit të ri. Përjashtim do të bëjnë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, subvencionimi për këtë kategori do të bëhet në masën 100 për qind. Sa i takon programit për përmirësimin e kushteve të banimit, veç kategorive të mësipërme, të favorizuar do të jenë edhe prindërit që jetojnë vetëm, si edhe individët me statusin e jetimit.

Kategori të favorizuara ka edhe kur bëhet fjalë për programin e banesave me kosto të ulët, si edhe për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi. Për të parën, familjet duhet të vërtetojnë që s’kanë banesë në pronësi, ndërsa programi tjetër u dedikohet atyre familjeve, banesa e të cilëve nuk mund të legalizohet. Pra, qeveria merr përsipër strehimin e përkohshëm të familjeve që përjashtohen nga procesi legalizues. Një tjetër alternativë strehimi janë edhe strehët e përkohshme, të cilat do t’u vijnë në ndihmë emigrantëve të rikthyer apo edhe individëve që zhvendosen nga vendbanimi për shkak të investimeve publike ose private dhe nuk përfitojnë asnjë kompensim. Dhe së fundmi, banesat e specializuara që projektohen të ndërtohen me infrastrukturën e nevojshme në shërbim të kategorive specifike, siç mund të jenë të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Shërbimet shtesë

Mungesa e të ardhurave ka penalizuar shumë familje që, edhe pse kanë qenë në kushte emergjente, nuk kanë përfituar nga programet e strehimit. Për këtë arsye, shërbimet ndaj tyre do të jenë në formën e një pakete. Pra, veç strehimit, atyre do t’u mbulohen shpenzimet për kujdes shëndetësor, arsim, si edhe më e rëndësishmja, do të trajnohen për t’u integruar në tregun e punës.