Transmetuar më 02-12-2017, 15:00

Presidenti Hashim Thaçi, shprehet se vendi i tij është gati të dërgojë Forcat e Sigurisë së Kosovës në Shqipëri, për të përballuar situatën e përmbytjeve.

Ai ka biseduar me homologun shqiptar Ilir Meta, lidhur me gjendjen e vështirësuar nga përmbytjet në Shqipëri, duke u informuar për situatën.

“Sapo bisedova me Presidentin Ilir Meta për gjendjen e vështirësuar nga përmbytjet në Shqipëri. Në emër të institucioneve të Kosovës, shpreha gatishmërinë që ta dërgojmë Forcën e Sigurisë për t’i ndihmuar ekipet e tyre në menaxhimin e krizave dhe emergjencave civile. Jemi të shqetësuar për vëllezërit e motrat tona atje dhe urojmë që situata të mos përkeqësohet më shumë”, shkruan Thaçi në Facebook.

Momentalisht situata më problematike paraqitet në jug të vendit. Lumi Vjosa ka çarë argjinaturën në afërsi të urës së Mifolit dhe ka vërshuar drejt fshatrave Fitore, Bishan, Ferras, Poro dhe Frakull. Në këtë zonë ka prani uji në 300 banesa dhe 1000 ha tokë, si dhe janë përmbytur 310 hektarë të tjerë. Për përballimin e gjendjes janë angazhuar 710 forca dhe 152 mjete.

Sinoptikanët parashikojnë se deri të hënën në mëngjes, ku do të kemi përsëri disa shtrëngata lokale shiu, por edhe pse këto nuk do të kenë sasi kaq të mëdha uji, mund të shkaktojnë përmbytje të njëjta./a.y/noa.al