Transmetuar më 21-11-2017, 14:17

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Shkëlqim Miri i arrestuar për akuzën e korrupsionit kërkon të hetohet në gjendje të lirë.

Ai aktualisht ndodhet në masën e paraburgimit "arrest me burg" , ndërsa mësohet se ka apeluar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që dha këtë masë paraburgimi. Kërkesa do të merret në shqyrtim nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda.

Më 17 nëntor KLD pezulloi nga detyra gjyqtarin i cili akuzohet se kundrejt të ardhurave financiare ka ndihmuar në lirimin e Gentian Dodës, i dënuar për vrasje. Prokuroria ka nisur hetim pasuror ndaj gjyqtarit, pasi në banesën e tij u gjetën rreth 300 milionë lekë.

Ndërkohë kushëriri i gjyqtarit i akuzuar për korrupsion, Kujtim Miri ka pranuar të japë informacion për Prokurorinë e Krimeve të Rwnda, por siç është shprehur ai këtë do ta bëjë në një moment të dytë pasi aktualisht ka probleme me shëndetin. 

Kujtim Miri dyshohet të ketë qenë sekser në rastin e lirimit të Dodës. "Nuk jam mirë nga gjendja shëndetësore. Shpjegimet do t’i jap në një moment të dytë”, tha ai.

Prokuroria e Përgjithshme po hetonte gjykatësin Shkëlqim Miri prej gati një viti, me dyshimet se ishte korruptuar nga Gentian Doda në këmbim të lirisë. Hetuesit dyshonin se ky i fundit ka paguar një shumë lekësh për gjykatësin që ndryshoi kualifikimin e vrasjes së Gazmir Dedjas në Burrel, në vitin 1997, nga vrasje, në plagosje e rëndë me dashje. /b.l/noa.al/