Transmetuar më 18-11-2017, 20:51

Nga Alfred Peza

Lajmi për vdekjen e Toto Riinës “bosit të bosëve” të mafias, pushtoi mediat e mesdheut dhe Europës, për të mos thënë edhe më tej. “Përbindëshi” siç e kishte pseudonimin, mund të kishte jetuar edhe përtej moshës që ëndërron shumica e  njerëzimit, nëse kanceri dhe një mishelë sëmundjesh të tjera nuk do I aviteshin. Ndërkohë që 150 viktimat e vrarë prej tij, nga fëmijë e deri bashkëmoshatarë me të, nëse do e shihnin këtë çast nga atje lart ku ndodhen, me siguri që mund të shtronin atë pyetjen fatale që gjithëkush e bën qoftë edhe njëherë në jetë: Zoti, a ekziston për të gjithë, apo edhe përballë vdekjes, nuk qenkemi të gjithë të barabartë?!

Kjo dilemë ndoshta e vjetër sa bota, sigurisht që është më e prekshme për siçilianët e thjeshtë në radhë të parë, për Italianët e më pas për të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimave të mafies dhe krimit në tërësi, në të gjithë botën. Largimi i tij nga kjo jetë, mund të ketë lehtësuar disa shpirtra të dërrmuar, por nga ana tjetër, duket se ka mbyllur një kapitull tjetër të dhimbshëm për raportet mes shtetit dhe antishtetit, ligjit dhe antiligjit, botës legale dhe asaj ilegale, mbitokës dhe nëntokës, “burrave të besës” dhe “burrave të shtetit”. Sot shteti është pak më i fortë dhe antishteti pak më i dobët. Njerëzit pak më të lirë dhe mafiozët e kriminelët pak më të pafuqishëm. Sepse u ka ikur një nga ato lloj udhëheqësish të së keqes, që e bëjnë botën, të kuptojë se shpresa vërtetë vdes e fundit.

Kjo ngjarje përkon me një moment ku në Shqipëri, ka nisur procei i vettingut për të gjithë njerëzit e piramidës së drejtësisë. Bashkë me të ka startuar edhe implementimi në tërësi i reformës (të paktën në letër) më të thellë në drejtësi që ky vend ka ndërmarrë ndonjëherë, e ndoshta një nga më të rreptit ndër vendet aspirante për tu bërë pjesë e unionit europian. Në Italinë e viteve ’80- ’90 kur Toto Riina ishte “mbreti” i së keqes, dhuna e tij ekstreme ia çoi qytetarëve thikën në ashtë, urrejta e të cilit detyroi një klasë të tërë politike të dilte jashtë sistemit dhe shtetin, të shtërngohej deri në atë pikë, sa pas çerek shekulli arrati, ta prangoste të paprekshmin e të paprekshmëve dhe ta mbyllte prapa hekurave në vitin 1993.

Çmimi që pagoi Italia ishte shumë i lartë. Verbëria kriminale e mafias i mori shtetit disa prej shërbëtorëve të vet më të mirë. “Vija e kuqe” duket se u tejkalua pas eleminimit brenda dy muajve, të dy prokurorëve kryesorë antimafias, Giovani Falcones dhe Paolo Borsellinos. Pas gjashtë muajsh nga ky moment, i tradhëtuar edhe nga të penduarit e mëdhenj të mafias dhe nga vullneti i shtetit dhe politikës, Toto Riina çliroi makthet e një Italie të tërë, kur pamjet televizive e treguan për herë të parë me pranga në duar. Filmat, televizioni, dokumentarët dhe librat e kanë bërë shumë familjare për pjesën e informuar të shqiptarëve, gjithë këtë realitet në anën përballë nesh të Adriatikut.

Sigurisht që Shqipëria nuk është Italia, as në drejtime të tjera dhe as tek pjesa më e errët e realitetit dhe e historisë së vet të dhimbshme. Shqiptarët dhe Shqipëria kanë një imazh negativ jo rrallëherë, (edhe për “meritë tonën”) edhe për shkak të një pjese të mediave perendimore por edhe steriotipeve të perceptimeve negative që krijohen për popuj e vende të varfëra. Por për fatin tonë të mirë madje edhe të Italisë vetë, “mafia” shqiptare (term që i referohet 4 klaneve dhe 20 familejeve mafioze!) fatmirësisht është ende në foqshnjërinë e saj, krahasuar me Cosa Nostra dhe klane të tjera të mafias historike. Kjo nuk ka lidhje në këtë rast me teorinë e të keqes më të vogël, por me mundësinë reale për ta luftuar sa është në këtë stad, nëse bashkë me reformën e thellë në drejtësi, do të ketë vullnet të palëkundur politik dhe shtetëror në vijimësi.

Ky duhet të jetë një moment relfektimi, për të gjithë, përfshi edhe vetë njerëzit e drejtësisë. Të asaj ekzistuese dhe drejtësisë së re, që besohet aq shumë se do të prodhojë reforma e madhe. Italia i ka dhënë njerëzimit aq shumë gjëra pozitive, të mira, të bukura, të mrekullueshme dhe të adhuruara, është një tokë kontrastesh që ka “prodhuar” edhe Toto Riinën dhe një listë tjetër të gjatë bosësh të së keqes. Ndaj, kishte me sa duket edhe “potencialin” për të patur antidotet e tyre. Për analogji, edhe antidoti shqiptar i kapove të klaneve dhe familjeve mafioze, grupeve dhe bandave kriminale, nuk është e thënë se do të jetë patjetër një “Giovani Falkone” shqiptar.

Edhe vende të tjera, me situatë dhe nivel kriminal si yni, nuk e kanë patur dhe ndoshta nuk do ta kenë as në të ardhmen “Falkonen” e tyre. Nuk kemi pse kërkojmë doemos që të kemi patjetër dëshmorë në radhët e shërbëtorëve të Republikës, për ti nderuar më pas sigurisht, por as për ti përdorur si njësi matëse të luftës dhe përpjekjeve tona ndaj të keqes. Policët mund të jenë vrarë në këtë vend të gjithë në përballje ndaj kriminelëve kryesisht ordinerë në terren. Por deri më sot, nuk di që një prokuror apo gjyqtar shqiptar, të jetë vrarë se ka çuar përpara drejtësisë, këdo që e ka merituar nga ligji. Problemi ynë është tjetërkund. Sfida jonë qënrdon tek pjesa e infektuar e sistemit të drejtësisë. Problemi tyre është, se në vend që ti fusinin frikën fajtorit, gjatë këtyre vite ata i kanë futur frikën, vetëm të pafajshmit.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al