Transmetuar më 15-11-2017, 19:27

Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në Ligjin Organik të Buxhetit. Ky opsion do të disiplinonte në terma afatgjatë, vëllimin total të kontraktuar të këtyre projekteve dhe do të ishte në linjë me dispozitat e këtij ligji mbi kufirin maksimal që shërbimi i këtyre skemave zë në shpenzimet buxhetore të vitit

Nga Gent Sejko

Buxheti është instrumenti kryesor i ushtrimit të politikës fiskale. Nga njëra anë, ai programon dhe realizon ndërhyrjen direkte të shtetit në ekonomi. Nga ana tjetër, legjislacioni tatimor që shoqëron Buxhetin përcakton stimujt fiskalë që ndikojnë vendimet e sektorit privat për konsum dhe investime. Të dy këto aspekte ndikojnë kërkesën e brendshme, rritjen ekonomike, zgjerimin e punësimit dhe përmirësimin e mirëqenies.

Nisur nga ky këndvështrim, është e natyrshme që hartimi i një projekti kaq të rëndësishëm të kërkojë një konsultim sa më të gjerë, me ekspertë të fushës dhe me grupe interesi. Ky konsultim duhet të synojë të prodhojë një plan-veprimi sa më cilësor, i cili të përcaktojë mënyrën optimale të përdorimit të resurseve të kufizuara financiare në funksion të objektivave të zhvillimit afatgjatë të vendit.

Opinioni i Bankës së Shqipërisë mbi Projektbuxhetin 2018

Si gjithnjë, në respektim të mandatit ligjor, do të përqendrohem në ato çështje të cilat janë brenda sferës së objektivave dhe të aktivitetit të Bankës se Shqipërisë. Më konkretisht, komentet e mia do të përmblidhen në fushat e mëposhtme:

-Kahu dhe efekti i politikës fiskale në ekonomi;

-Qëndrueshmëria afatgjatë e financave publike;

-Huamarrja publike dhe ndikimi i saj në tregjet e brendshme financiare; dhe, së fundi,

-Rritja e efektivitetit dhe e qëndrueshmërisë së financave publike.

Më lejoni, në fillim, të paraqes në mënyrë të përmbledhur vizionin tonë mbi perspektivat e zhvillimit të vendit dhe kontributin që ne si politikëbërës duhet të japim në të.

Politika fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2018

Sikundër kemi theksuar edhe më parë në prononcimet tona publike, Banka e Shqipërisë konstaton se ekonomia shqiptare është në një trend pozitiv zhvillimi. Aktiviteti ekonomik i vendit po vjen në rritje, bilancet financiare të sektorit publik dhe privat janë drejt përmirësimit, ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm po vijnë drejt shëndoshjes, ndërsa besimi i agjentëve privatë është drejt konsolidimit.

Kjo ecuri është favorizuar nga përmirësimi i ambientit të jashtëm, por ajo pasqyron në radhë të parë miksin e duhur të politikave të brendshme ekonomike:

– Politika monetare stimuluese ka synuar dhe ka arritur të sigurojë një ambient financiar likuid, me norma të ulëta interesi dhe me kushte financimi të përmirësuara;

– Konsolidimi fiskal ka reduktuar primet e rrezikut në tregjet financiare, ka mundësuar përcjelljen e politikës sonë monetare në këto tregje, si dhe ka rritur hapësirat për kreditimin e sektorit privat;

– Politika e kujdesshme makroprudenciale ka ruajtur stabilitetin financiar të vendit, ndërsa rregullimi dhe mbikëqyrja e sektorit bankar kanë ndihmuar funksionimin normal të këtij sektori, si instrumenti kryesor i ruajtjes së kursimeve të publikut dhe i financimit të ekonomisë.

Analizat tona sugjerojnë se premisat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive, por ato duhet të vazhdojnë të mbështeten nga politika të kujdesshme ekonomike.

Nisur nga sa më sipër, Banka e Shqipërisë konstaton se, nëpërmjet shënjestrimit të një balance primare pozitive dhe synimit për reduktimin e mëtejshëm të borxhit publik, Projektbuxheti i vitit 2018 vazhdon rrugën e konsolidimit fiskal. Banka e Shqipërisë vlerëson se ky Projektbuxhet ruan të pandryshuar kombinimin e politikave ekonomike që kanë mbështetur zhvillimin e vendit, çka ndihmon në forcimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë, rrit besimin e investitorëve në ekonominë shqiptare, si dhe dërgon sinjalet e duhura në tregjet financiare dhe në agjencitë e renditjes së borxhit publik.

Më në detaje:

– Balanca primare e vitit 2018 projektohet të jetë pozitive, në nivelin 0.6% të PBB-së, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së pritet të ulet me 2.5 pikë përqindje. Banka e Shqipërisë vlerëson se Projektbuxheti i vitit 2018 forcon kahun konsolidues të politikës fiskale dhe mundëson vazhdimin e përcjelljes së stimulit monetar në ekonomi.

– Projeksionet e të ardhurave fiskale duken të kujdesshme, ndonëse nivelet e parashikuara duket të jenë lehtësisht optimiste. Këto projeksione bazohen në një kuadër makroekonomik të pranueshëm, ndërsa politika e shpenzimeve publike dhe politika tatimore duken konsistente me zhvillimet e pritura ekonomike.

– Kompozimi i shpenzimeve publike paraqitet më mbështetës për zhvillimin e vendit. Shpenzimet kapitale parashikohet të rriten me ritme më të shpejta se shpenzimet korrente gjatë vitit 2018, duke arritur në nivelin 5.2% të PBB-së. Studimet tona sugjerojnë se efekti total i shpenzimeve kapitale në rritjen ekonomike është relativisht më i madh dhe më i qëndrueshëm në kohë, se ai i shpenzimeve korrente.

– Buxheti i vitit 2018 parashikon rritjen e të ardhurave tatimore, kryesisht në linjë me përmirësimin e aktivitetit ekonomik, por pjesërisht edhe si rrjedhojë e rritjes së formalizimit të ekonomisë. Banka e Shqipërisë e përshëndet vazhdimin e kësaj nisme, duke gjykuar se përfitimet afatgjata që vijnë nga rritja e konkurrencës dhe transparencës në ekonomi, i tejkalojnë kostot afatshkurtra të reformës. Në mbështetje të kësaj nisme, Banka e Shqipërisë ka udhëzuar tashmë bankat tregtare që, duke filluar nga viti 2018, analizat financiare të kredimarrësve t’i bazojnë tërësisht në bilance fiskale të certifikuara, duke ofruar një stimul tjetër për formalizimin dhe duke rritur kostot e aktivitetit informal.

– Së fundi, efekti fiskal i vlerësuar i ndryshimeve në legjislacionin tatimor e doganor duket të jetë i vogël. Duke u bazuar në këto vlerësime, ndikimi i pritur i masave fiskale në inflacion pritet të jetë relativisht i ulët dhe kalimtar.

Më lejoni të ndalem në vazhdim në çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin afatgjatë të financave publike.

Qëndrueshmëria e financave publike

Qëndrueshmëria afatgjatë e financave publike është një parakusht për stabilitetin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit.

Sa më sipër, Banka e Shqipërisë konstaton se Projektbuxheti i vitit 2018 plotëson kërkesat që burojnë nga Ligji Organik i Buxhetit (LOB). Zbatimi në vijimësi i kritereve të këtij ligji, ndihmon disiplinimin e hartimit dhe zbatimit të politikave fiskale, rrit konsistencën e tyre në vite, dhe i shërben forcimit të financave publike në afatin e gjatë. Gjithashtu, ai redukton primet e rrezikut dhe përmirëson klimën e investimeve në vend.

Po në frymën e forcimit të financave publike, Projektbuxheti i vitit 2018 prezanton vendosjen e një kufiri mbi vlerën totale të projekteve të kontraktuara në kuadrin e programit të partneritetit publik – privat (PPP), në nivelin 40.1% të PBB-së. Banka e Shqipërisë vlerëson pozitivisht vendosjen e këtij kufizimi, pasi ai ndihmon në parandalimin e zgjerimit të paplanifikuar të detyrimeve publike.

Disa sugjerime mbi forcimin e mëtejshëm të financave publike dhe ndikimi i pritur i Projektbuxhetit në tregjet financiare

Huamarrja publike dhe ndikimi i saj në tregjet e brendshme financiare

Niveli i borxhit publik dhe struktura e financimit të tij kanë një lidhje direkte dhe të ndërsjellë me zhvillimin dhe shëndetin e sistemit të brendshëm financiar. Në gjykimin tonë, ruajtja e besimit të tregjeve financiare duhet të jetë një nga objektivat primarë të politikës sonë fiskale, pasi – në afat të gjatë – ai përcakton jo vetëm koston e borxhit publik, por edhe koston e financimit dhe aksesin në kredi të sektorit privat.

Banka e Shqipërisë konstaton se financimi i deficitit buxhetor për vitin 2018 është programuar të mbulohet tërësisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme. Lidhur me ndikimin që kjo kërkesë mund të japë në tregjet e brendshme financiare, Banka e Shqipërisë vëren se:

– Tregu ynë financiar karakterizohet nga një gjendje e mirë likuiditeti dhe nga norma të ulëta interesi. Këto tendenca pritet të vijojnë edhe gjatë vitit 2018, duke krijuar kushte të përshtatshme për akomodimin e huamarrjes së planifikuar. Në parim, duke u nisur nga rreziku që sjellin luhatjet e kursit të këmbimit dhe luhatjet e oreksit të investitorëve të huaj ndaj borxhit sovran të vendeve në zhvillim, Banka e Shqipërisë sugjeron trajtimin në vazhdimësi të huamarrjes së huaj me terma tregtarë, si opsionin e fundit në radhë për financimin e deficitit buxhetor.

– Tregu financiar mbetet i ndjeshëm ndaj luhatjeve në financimin e deficitit buxhetor gjatë vitit. Sa më sipër, Banka e Shqipërisë sugjeron:

– Monitorimin e vazhdueshëm të tregut financiar, si dhe rritjen e përpjekjeve për reduktimin e luhatjeve të likuiditetit që vijnë nga aktiviteti i sektorit publik.

– Përshpejtimin e përpjekjeve për zhvillimin e tregut dytësor të letrave me vlerë, çka do të reduktonte rreziqet për akomodimin e huamarrjes së brendshme. Funksionimi i mirë i këtij tregu do të ndihmonte në zgjerimin e bazës së investitorëve, në rritjen e likuiditetit të instrumenteve të borxhit të qeverisë dhe në uljen e kostos së borxhit.

Së fundi, Projektbuxheti përfshin – për herë të parë – dispozita ligjore për transferimin e fondeve të krijuara nga huamarrja e huaj, nga një vit fiskal në tjetrin. Kjo risi lejon një shpërndarje më të mirë të përdorimit të fondeve të siguruara nga huadhënia e huaj, si dhe mundëson para-financimin e pagimit të detyrimeve kontraktore në formën e borxhit të huaj. Në tërësi, kjo dispozitë ndihmon në zbutjen e dobësive fiskale, në rast se huamarrja e huaj dhe transferimet bëhen në përputhje me skedulin e ripagimit të borxhit të huaj. Gjithashtu, ajo mundëson uljen e rrezikut të rifinancimit dhe, potencialisht, uljen e kostos së financimit nga tregjet e huaja. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë sugjeron: konsultimin e saj paraprak mbi planet e huamarrjes së huaj; dhe, kujdesin dhe kufizimin sasior të madhësisë së këtij transferimi ndër vite.

Disa sugjerime mbi rritjen e efektivitetit dhe të qëndrueshmërisë së financave publike

Mbi deficitet e skemave të sigurimeve shoqërore e shëndetësore

Deficitet e skemës së pensioneve dhe asaj të sigurimit shoqëror, vazhdojnë të mbeten një barrë e rëndë për buxhetin. Deficiti i këtyre skemave është rreth 2.5 herë më i lartë se vlera totale e deficitit buxhetor. Ky fenomen duhet të mbetet në monitorim të vazhdueshëm, implikimet afatmesme dhe afatgjata të tij duhen vlerësuar me seriozitet, dhe – në rast se është e nevojshme – duhen marrë masa korrektuese. Në veçanti, Banka e Shqipërisë mendon se duhet inkurajuar më shumë krijimi i skemave private të pensioneve, të cilat lehtësojnë barrën mbi financat publike dhe i japin një frymëmarrje të mëtejshme zhvillimit të tregjeve financiare.

Mbi programet e Partneritetit Publik – Privat

Projektbuxheti i vitit 2018 merr parasysh rreziqet që burojnë nga zgjerimi i projekteve të partneritetit publik-privat, duke vendosur kufi mbi vlerën totale të këtyre projekteve dhe duke detajuar paraprakisht listën e PPP-ve të reja gjatë vitit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në Ligjin Organik të Buxhetit. Ky opsion do të disiplinonte në terma afatgjatë, vëllimin total të kontraktuar të këtyre projekteve dhe do të ishte në linjë me dispozitat e këtij ligji mbi kufirin maksimal që shërbimi i këtyre skemave zë në shpenzimet buxhetore të vitit.

Gjithashtu, shqetësimi tjetër lidhur me këto projekte qëndron në detyrimet potenciale që mund të vijnë në buxhet. Në këtë aspekt, theksojmë nevojën për: përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon anës ligjore dhe financiare të tyre; si dhe, zbatimin e standardeve më të mira në fushën e kontabilizimit të ndikimit të tyre në treguesit e borxhit.

Mbi strukturën e financimit të borxhit

Një nga pikat e forta të strukturës së financimit të borxhit publik shqiptar ka qenë përqendrimi i tij në tregun e brendshëm dhe fokusi në monedhën lokale. Ky tipar ka mbajtur relativisht të ulët rrezikun e rifinancimit dhe ka reduktuar luhatjet e madhësisë dhe kostos së shërbimit të borxhit, që vijnë nga luhatjet e kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë gjykon se ky tipar i strukturës duhet të ruhet edhe në të ardhmen.

Së fundi, në mbyllje të këtij opinioni, më lejoni të ndaj me ju edhe dy shqetësime të përhershme të Bankës së Shqipërisë.

Mbi respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor gjatë vitit 2018

Ndërkohë që kuadri makro dhe parashikimet fiskale të buxhetit të vitit 2018 duken përgjithësisht të kujdesshme, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se ruajtja e deficitit buxhetor duhet të fiksohet si objektiv i panegociueshëm i tij. Në emër të kujdesit fiskal, kjo do të thotë që buxheti duhet të përfshijë, në mënyrë implicite apo eksplicite, plane kontingjence për përballimin e situatave të mundshme kur deficiti rrezikon të tejkalohet.

Mbi efektivitetin e financave publike

Gjithashtu, gjej me vend të përsëris edhe një herë thirrjen për një shpërndarje sa më të njëtrajtshme të realizimit të shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, çka do të zbuste luhatjet e panevojshme në tregjet financiare dhe do të rriste efektivitetin e politikës fiskale.

* Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2018