Transmetuar më 15-11-2017, 00:50

Nga Alfred Peza

Largimi i Sokol Ballës nga drejtimi i Informacionit në “Top Channel” dhe vijimi po aty i drejtimit të emisioneve më të rëndësishme të bebatit politik, ka edhe një lexim tjetër nga të shumtët që janë bërë e do të bëhen me siguri. Një lexim krejt ndryshe, që nuk ka lidhje thjeshtë dhe vetëm me atë media vetë, as edhe vetëm me raportet e pronares së këtij televizioni kombëtar me Kryeministrin apo qeverinë siç është përfolur këto ditë, nisur nga ndryshimi i politikës editoriale në lajme. As edhe vetëm me betejën e fundit të Edi Ramës pas përplasjeve verbale me gjithë gazetarët, pothuajse. Derisa mbërritëm tek dalja e fundit e Kryeministrit tek emisioni i Eni Vasilit, ku pjesën më të mëdhe por mbi të gjitha kryesore të saj, e zunë pyetjet për hallet e gazetarëve dhe jo ato të shqiptarëve.

E gjitha çfarë po ndodh, mendoj se i ka rrënjët pak më të thella se ajo që duket sot, si një konflikt i radhës, ciklik e i rastësishëm. Eshtë një konflikt besoj shumë më i thellë se kaq, rrënjët e së cilës duhen kërkuar në 27 vitet e historisë së shtypit të lirë dhe privat në Shqipëri. Një media që ka ndjekur “besnikërisht” disa cikle në harmoni me ciklin e zhvillimeve politike, e për rrjedhojë edhe ato të lobeve ekonomike, të cilët investuan pushtetin e tyre financiar për të patur edhe pushtet mediatik, e për të ndikuar apo patur akses në pushtetin politik. Këto cikle, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me ciklet e ndërrimit të kuajve të karrocës, sipas një rregulli strikt 20 vjeçar në Shqipëri, sipas të cilit nga 1997 e deri tani, 8 vjet kanë qenë në pushtet të majtët, e 8 të tjera të djathtët. Një cikël ky të cilin një herë ish Kryeministri Fatos Nano në tavolina informale e quajti të “mazhorancave spanjolle”.

Ky “rregull i pashkruar” ka bërë që të forcoheshin po në mënyrë ciklike, herë lobe a grupe ekonomike më pranë të majtës kur ajo qeveriste, e herë grupe pranë të djathtës kur kryeministri ishte i PD. Çuditërisht edhe cikli i lindjes dhe rrijtes së mediave, ka ndjekur “besnikërisht” këtë cikël në spiralen e saj të ndryshimeve dinamike, sipas një rregulli ku rrotacionet politike të qeverisjes dhe pushtetit, sillnin edhe lindjen e flukseve të reja të mediave, apo ndryshimit të pronësisë së tyre. Pas 1997, me ardhjen e PS në pushtet i erdhi radha një fluksi të ri prurjesh të lojtarëve të rinj të treg që i dhanë fund shumë shpejt epokës së parë të dominimit të gazetës “Koha Jonë”. Ishte koha kur shumë gazeta të reja fillimisht hynë në treg, për tu pasuar pas kësaj epoke të artë të printit, me fillimin e një epoke të re për mediat shqiptare.

Në 8 vitet e qeverisjes së socialistëve të drejtuar nga Fatos Nano, lindën radiot dhe televizionet e para private, të cilat filluan shumë shpejt jo vetëm konkurencën por edhe fazën e legalitetit nëpërmjet procesit të licensimeve, duke krijuar edhe një piramidë të re hierarkike në tregun medial. Në mandatin e dytë të qeverisjes së PS (2001- 2005) vendin “këpurdhave” të mbira gjithandej, filluan ta zinin investimet e para të mëdha serize, ambicioze, agresive dhe me një standard krejt tejtër në këtë fushë. Ishte epoka e Tan Hoxhës së Top Channel-it që revolucionarizoi njëherë e përgjithmonë këtë industri, derisa ajo ka marë këtë formë që ka sot.

Rikthimi i PD në pushtet më 2005, u shoqërua menjëherë me ndryshime në treg, ku pronësia e Televizionit Kombëtar Klan kaloi vetëm në duart e Aleksandër Frangajt dhe shumë nga radiot dhe televizionet pioniere dolën nga tregu. Sepse kishte perënduar epoka e botuesve që mereshin vetem me media dhe kishte ardhur epoka e kapitalit të madh, që kërkonte të materializonte pushtetin e parasë edhe me një pushtet të ri. Në ato tetë vite të qeverisjes së Berishës, piramida e medias shqiptare, mori këtë formë dhe përmasa që pothuajse ka edhe sot. Krahas televizioneve gjeneraliste, u fuqizuan shumë edhe platformat Pay TV, televizionet informative dhe ato tematike, kryesisht të ndarë në natyrat muzikore dhe sportive. Në fund të atij 8 vjeçari, lëvizja më e madhe pronësore në treg, ishte ajo e Neës 24.

Në 16 vjet (1997- 2005), pra si gjatë 8 viteve të para të qeverisjes së PS edhe në ato të PD, u kristalizuan edhe linjat e politikave editoriale të mediave. Të cilat tashmë ishin të identidikuara si të majta apo si të djathta. Nga ky pozicionim, nuk kishte si të shpëtonin dy më të mëdhatë në treg, Top dhe Klan. Ku Top ishte më kritike me qeverinë dhe dukej më e afërt me Kryetarin e ri të PS dhe të bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ndërsa Klan as që merakosej ta fshihte se ishte pranë Berishës, edhe duke përfituar jo pak nga ky raport.

Ishte koha kur lindi dhe tashmë ka fituar qytetarinë, një tjetër veçori e mediave shqiptare: Pronësia e tyre, u unifikua edhe me drejtimin editorial. Që do të thotë se pronarët apo familjarët e tyre,  janë edhe drejtuesit profesionalë të të informacionit dhe programeve. Këtu nis e mer udhë e gjithë ajo që unë besoj se solli atë që duket si një konflikt i ri i madh në qytet. NJë panoramë që ërfshin që nga përplasja verbale e Edi Ramës dhe me “koelgët” e tij të medias, ndryshimi i drejtuesit të informacionit në Top Channel dhe “zbatica e parë” e gazetarëve, siç u duk në emsionin e fundit të Ramës te Eni Vasili.

Ajo që ka ndodhur në këtë periudhë nuk ka lidhje me raportin e Kryeministrit me gazetarët, por me pronarët. Të mësuar me ciklet e 20 viteve të kaluara të raporteve me qeveritë, mazhorancat, kryeministrat Nano, Meta e Berisha, ata vijuan të njëjtën linjë sjellje edhe me Edi Ramën kur ai u bë Kryeministër. I ardhur nga “radhët” e tyre, Kryeministri iu shmang këtij kurthi të ëmbël, që hap një lojë që ndoshta një natyrës lideri si Berisha e përballon, ndërsa për Edi Ramën do ishte vrastare. Ai vetë deklaroi se një pjesë e pronarëve, nërmjet mediave të tyre kuptohet, kanë tentuar që të përdorin linjën editoriale, për ti vendosur gjoba qeverisë.

Me fillimin e këtij mandati të ri qeverisës, për shkak edhe të shtimit të pazakontë të numrit të mediave me ato online tashmë, një pjesë e pronarëve,- të zhgënjyer nga pritshmëritë e larta, mund ta kenë kuptuar se ka ardhur koha për të ndryshuar totalisht strategji dhe qasje në raport me qeverinë dhe politikat e tyre editoriale të lidhura me të. Dikur Top Channel ishte etaloni dhe modeli që të gjithë ëndërronin që ti afroheshin apo ta imitonin dhe shumë më pak, që ta konkuronin. Modeli i ri për tu ndjekur, duket se tashmë është TV Klan, me të gjitha të mirat dhe problemet e veta.

A do i bëjë kjo fazë e re, kjo qasje dhe strategji e re, më efikase dhe më profesionale këto media (përtej interesave personale të pronarëve) kjo mbetet për tu parë. E sigurtë është që ajo ka bërë një gabim fatal, duke dashur që ta lidhi gjithë këto vite ardhmërinë e vet, me politikën, me qeverinë apo opozitën e radhës dhe jo me raportin e kërkesë- ofertës së tregut, me audiencën, me profesionalizmin, cilësinë, standarded dhe me luftën për pjesën më të madhe në tortën e reklamave.

E sigurtë është që i fituari më i madh i këtij momenti, duket të jetë Kryeministri Edi Rama. I cili ka arritur një fitore të gabuar, për aq kohë sa tashmë, do të përballet me një luftë frontale kundër tij. Ai ka vetëm një shans për ta fituar të gjithën këtë: Duke e nxjerrë median nga binarët e informalitetit dhe lojërave e flirteve me politikën, e për ta futur njëherë e përgjithmonë në shinat e legalitetit, fiskut, ligjit, rregullave të lojës në një shtet ligjor. Vetëm nxjerrja nga fusha politike dhe futja e mediave përgjithmonë në treg, është shpëtimi dhe çlirimi i të gjithëve nga kjo situatë. A janë të gatëshme të dyja palët për këtë?! Kjo është çështja!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al