Transmetuar më 09-11-2017, 12:18

Bashkia e Tiranës dhe Rajoni i Pulias do të shtojnë bashkëpunimin midis tyre në fushën e menaxhimit dhe të trajtimit të ujit të pijshëm. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një vizitë Presidentin e Rajonit të Pulias, z. Michele Emiliano.

Kryebashkiaku Veliaj tha se miratimi i projekteve për bashkëpunim mes Ujësjellësit të Pulias dhe atij të Tiranës, i hap rrugë investimeve të rëndësishme në këtë sektor, për t’i dhënë fund shqetësimit të qytetarëve për furnizimin me ujë të pijshëm.

“Lajmi i parë i mirë ka të bëjë me miratimin e projekteve INTERREG, për bashkëpunim midis Ujësjellësit të Pulias dhe Ujësjellësit të Tiranës. Në fakt, qëllon që dy ujësjellësat tanë janë ata që performojnë më mirë në vendet respektive. Ashtu siç po bëjmë me BERZH-in për të marrë kredi për dy investime të rëndësishme, ashtu do të vazhdojmë edhe masterplanin me Ujësjellësin e Pulias, për t’u siguruar që Tirana ka shërbimin më të mirë, edhe në këtë fushë, ashtu siç ka shërbimin më të mirë në fushat e tjera”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë vlerësoi performancën e treguar nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për eliminimin e avarive në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm te konsumatorët, si dhe në administrimin e të ardhurave. Veliaj theksoi se falë mirëmenaxhimit të këtij sistemi, është bërë i mundur dyfishimi i furnizimit me ujë të pijshëm i banorëve të kryeqytetit.

Ndërkohë, rajoni i Pulias do t’i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës në projektin ambicioz për krijimin e “Pyllit Orbital”, që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë. Në shenjë miqësie mes dy vendeve, rajoni i Pulias do të dhurojë pemë për Tiranën, duke rritur sipërfaqen e gjelbër.

Presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, u vlerësua nga kryebashkiaku Veliaj me Medaljen e Skënderbeut. Duke e falenderuar për vlerësimin, Emiliano u shpreh se Tirana po ndryshon me ritme të shpejta. Presidenti i rajonit të Pulias vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa garantoi bashkëpunim të ngushtë në projekte të përbashkëta për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm. /b.l/noa.al/