Transmetuar më 09-11-2017, 10:53

Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, u ka bërë thirrje liderëve të Ballkanit Perëndimor që të marrin masa për të shmangur çdo vështirësi me të cilën përballen mediat sot.

Duke folur në konferencën me rastin e Ditës Ndërkomëbtare të Medias, Hahn tha se liria është mjaft e rëndësishme për integrimin në Bashkimin Europian.

“Çështja e gazetarisë qëndron mes shoqërisë, në mjedisin shoqëror, nuk duhet të konsiderojmë vetëm një aspekt për këtë çështje. Duhet t’i hedhim një vështrim disa çështjeve të lidhura me median, si tregu i reklamimit, ndryshimet drastike që kanë ndodhur, një fenomen botëror ky. Kjo i përket dhe Ballkanit Perëndimor, për të cilin është konferenca jonë. Duhet të marrim parasysh dhe presionin politik, të jemi më realist, në mënyrë që të kemi zgjidhje lidhur me çështjet e medias.

Është e rëndësishme, jo vetëm për Brukselin, por mbi të gjitha për Ballkanin Perëndimor. Liria e medias do jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes, liria e shprehjes është vlerë themelore në BE dhe kjo është mjaft e rëndësishme edhe për vendet aspirante për në BE”, tha Komisioneri Hahn.

Më tej, zyrtari i lartë i BE deklaroi se do të ketë profesionistë nga Bashkimi Evropian, që do të japin kontributin e tyre mbi vështirësitë me të cilat përballet media në Ballkanin Perëndimor. "Kemi parë keqpërdorim të informacionit gjatë raportimeve, duhet të ketë një raportim të pavarur, pra anshmëria politike është vënë re në gazetari. Politika është përgjegjëse për garantimin e lirisë së medias, si dhe duhet t’iu krijojnë kushte gazetarëve.

Ne po i adresojmë vazhdimisht këto çështje në BE. Media duhet të jetë e përgjegjshme, e paanshme, pasi përbën një rol mjaft të rëndësishëm. Media përballet me vështirësi të shumta në Ballkanin Perëndimor, ndaj dhe të gjithë liderët duhet të bëjnë të pamundurën për ta përmirësuar këtë situatë. Do ketë profesionistë të medias nga BE që do të japin kontributin e tyre për këtë çështje”, shtoi më tej Hahn. /k.k/noa.al/