Transmetuar më 08-11-2017, 19:01

Kryeministri Edi Rama negocioi sot me biznesmenë mbi nivelin e tatimit të dividentit që aktualisht është 15 për qind ose 5 për qind se pak vite më parë dhe që sipërmarrjet presin të realizohet premtimi ministror për t’u ulur në gjashtë për qind.

Negocimi konsistonte në kohën kur do të realizohet kjo, vitin që vjen apo më 2019.

Rama nuk përjashtoi asnjë nga dy opsionet, përfshirë atë të premtuar nga ministri i Financave para fushatës elektorale: “Sigurisht që është një zotim i marrë, vetëm se zotimi nuk është bërë që data do jetë sapo të fillojë mandati. Kështu që është një zotim i marrë, është një diskutim dhe e vetmja, po themi, kundërshti është se sot, shumica mendon se kjo duhet të futet në paketë, vitin e ardhshëm. Ndërsa ministri dhe një pjesë në pakicë mendon se duhet të futet që këtë vit. Duke qenë se për momentin unë jam me shumicën, do presësh vitin tjetër. Por mbase deri në fund të shikojmë, se paketa është në Parlament dhe Parlamenti ka zërin e vet, komisionet kanë zërin e tyre, të dëgjojmë se çfarë do thonë edhe komisionet. Por që ajo do bëhet, kjo nuk diskutohet. Çështja është se kur, me paketën e 2018-s, apo me paketën e 2019-s”.

Më poshtë gjeni të gjitha pyetjet dhe përgjigjet me kryeministrin Edi Rama gjatë bashkëbisedimit të sotëm në Tiranë, me kompani dhe sipërmarrje për modernizimin e infrastrukturës.

Për katër vjet, 99.99% janë marrë të gjithë tenderët te Drejtoria e Rrugëve, nuk është bërë asnjë lloj konkurrence. E dyta, ligji i prokurimit publik është i vitit ‘95-‘96, vazhdon…

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se jemi në një gjatësi vale të gjithë bashkë këtu. Ne e kemi bërë të gjithë diagnozën e situatës. Edhe recetën e kemi gati, për të bërë një ndryshim rrënjësor që ka filluar të bëhet, për ta pasur gati strukturën që kur të fillojë faza e prokurimeve, struktura të përgjigjet krejt ndryshe nga sa është përgjigjur për të gjithë këto vite. Problemi është shumë i thjeshtë. Një kompani nuk mund të merret peng nga askush. Një kompani duhet t’i rezistojë kujtdo, sepse tjetër është vullneti politik, tjetër është abuzimi që bën një zyrë, një strukturë, një agjenci. Nëse ka një mundësi reale për ta shfarosur korrupsionin deri në masën që bëhemi normal si vendet e tjera, mundësia është bashkëpunim me kompanitë. Kompanitë nuk duhet të pranojnë asnjë lloj negociate me këta lloj njerëzish. Këta njerëz nuk duhet të kenë vend në administratë. Ne e kemi premtuar që do ta pastrojmë administratën nga parazitët, nga grabitqarët. Sigurisht, kjo kërkon kohën e vet, sepse nuk është një fshesë që po fshin shtëpinë ditën e diel, nuk është as një kosh me mollë, që sa hap e mbyll sytë e zbraz, janë njerëz, janë burime njerëzore të shtetit, duhen kaluar në sitë, sipas të gjitha normave, duhen respektuar të gjitha të drejtat ligjore administrative të tyre, për të nxjerrë atë rezultat që duam. Njëkohësisht duhet ndërtuar një sistem tjetër. Nuk mjafton vetëm ndryshimi që po themi, por dhe ndryshimi i vetë sistemit, që nga metodika. Nëse e ke në letër të hapur rrugën për të bërë çudira, është shumë e vështirë që çudirat të shmangen. Janë një kompleks masash që ne po i përgatisim dhe do t’i marrim për këtë gjë.

Në punën tonë si supervizorë kemi një vështirësi shumë të madhe sa i përket projekteve. Që ditën e parë që lidhim kontratën e fillojmë me kontratat shtesë. Projektuesit në shumicën e rasteve nuk na përgjigjen. Kam gjithashtu një vërejtje të madhe ndaj prokurimeve publike. Ju kërkoj zoti Kryeministër që të ndërhyni që të bëhet një konkurrencë sa më e ndershme.

Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi nisur punën që ditën e parë, pasi jemi përgatitur dy muaj për të bërë një reformë shumë rrënjësore lidhur me licencat, dokumentet, autorizimet, kërkesat, etj.. Në çdo sektor do të ketë një reduktim drastik të letrave. Sipas meje, sa më shumë letra të kërkohen, aq më shumë korrupsion bëhet dhe për çdo letër që duhet të marrësh, apo të paraqesësh, paguan. Kështu që paguan sepse ka një tarifë, ose paguan sepse ta kërkojnë. Reduktimi drastik i këtyre është objektiv parësor i 300 ditëve të para. Në 100 ditëshin e parë kemi filluar. Ministritë po punojnë dhe në 15 nëntor do paraqesin në qeveri, gjithë planin për reduktimin e dokumenteve. Edhe tek ky sektor ka lloj-lloj historish me letra dhe dokumente që kërkohen, që janë absurditete. Duhet të heqim, të garantojmë që të shpëtojmë nga gjithë këto specifikimet qesharake. Për shembull, ti do ndërtosh rrugë, ai thotë a ke traget (?). Këtë nuk e kisha dëgjuar. Është një nivel më i lartë se deri aty ku kisha dëgjuar unë. Mi tregoni dhe mua që të bëjmë një libër me barsoleta nga jeta e përditshme e sipërmarrjes, që torturohet dhe humbet gara, se kërkojnë vinça kur aty nuk ka asgjë për të ngritur. Edhe shqetësimi i zonjës shkon në këtë drejtim, të ketë një mundësi shumë më të hapur për të ushtruar aktivitetin dhe shumë më pak nga këto barrierat administrative.

A do vendoset në paketën fiskale për 2018 tatimi mbi dividentin 6%? Na është premtuar nga Ministri i Financave para fushatës elektorale.

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që është një zotim i marrë, vetëm se zotimi nuk është bërë që data do jetë sapo të fillojë mandati. Kështu që është një zotim i marrë, është një diskutim dhe e vetmja, po themi, kundërshti është se sot, shumica mendon se kjo duhet të futet në paketë, vitin e ardhshëm. Ndërsa ministri dhe një pjesë në pakicë mendon se duhet të futet që këtë vit. Duke qenë se për momentin unë jam me shumicën, do presësh vitin tjetër. Por mbase deri në fund të shikojmë, se paketa është në Parlament dhe Parlamenti ka zërin e vet, komisionet kanë zërin e tyre, të dëgjojmë se çfarë do thonë edhe komisionet. Por që ajo do bëhet, kjo nuk diskutohet. Çështja është se kur, me paketën e 2018-s, apo me paketën e 2019-s.

Administrator i një kompanie konsulente: Ne sot aktualisht operojmë me një legjislacion të para 20 viteve që është shumë i vakët. Të gjithë që jemi këtu punojmë me standarde të dyfishta. Kur është puna që do të supervizojmë me BB, me KE me KfW, ne respektojmë legjislacionin ndërkombëtar. Në momentin që fillojmë dhe operojmë me ligjin shqiptar, krijohet një kakofoni, krijohen mospërputhje. 

Kryeministri Edi Rama: Në këtë moment që flasim jemi në fazën e pastrimit të letrave. Çfarë janë letra që janë të tepërta, letra pa të cilat mund të vazhdojë jeta normalisht, si licenca, autorizime, vërtetime dhe çfarë janë letra si ato që përmendi profesori, metodika dhe kjo që thatë ju e dopio standardit, është koha për t’i pastruar. Pastrimi i tyre bëhet më i plotë, nëse bashkëpunojmë. Ju lutem të gjithëve që kush ka një sugjerim për të bërë, që e ka ndeshur në punën e tij, ta bëjë tani. Të gjitha këto do na ndihmojnë që ta bëjmë krehjen e gjithë këtyre ferrave që janë nëpër këmbë në formë letrash, sa më të plotë. Duam të kemi procedurat administrative më të lehta se kudo tjetër dhe mund t’ia dalim më shpejt, nëse bashkëpunojmë. Në jetën e përditshme juve ju dalin probleme, jo vetëm nga letrat që duhen hequr, por edhe nga letrat që duhen ribërë, sepse keqinterpretohen dhe krijojnë të tjera situata. Ndihma juaj është shumë e vyer në këtë fazë, që të pastrojmë maksimumin e ferrave nga rruga juaj, pas 20 e kusur vitesh që nuk u bë kurrë kjo punë. Mund të bëhet. U bë certifikata legjendë. S’ka nevojë më askush të marri certifikatë në gjendjen civile me pagesë. Ka rënë në mënyrë drastike prodhimi i certifikatave në muajin tetor, por prapë ka nevojë të shkojë në zero. Ky është një shembull. Por ka qindra letra të tjera që mund të hiqen dhe që do hiqen.

Anëtar i bordit të Shoqatës të Inxhinierëve Konsulentë të Shqipërisë: Të gjithë biem dakord që investimet kanë pasur problemet e veta, përsa i përket cilësisë. Në këto kushte është shume e rëndësishme që të ndryshojë mënyra dhe metodologjia e supervizimit. 

Kryeministri Edi Rama: Ne me këtë punë po merremi dhe duam të ndërhyjmë edhe në ligj, por s’mund të ndërhyjmë në ligj sa herë të dalë ndonjëri të thotë ndonjë gjë. Prandaj, të ulemi, t’i mbledhim të gjitha opinionet, të mbledhim të gjitha sugjerimet, të bëjmë filtrimin se çfarë na vlen e çfarë nuk na vlen dhe t’i fusim edhe në ligj këto gjera. P.sh, çështja e punimeve të kryera është shumë e vërtetë. Nuk mban përgjegjësi prej 27 vjetësh askush. E supervizove mirë, e supervizove keq, je njësoj, vazhdon loja. Të gjitha këto dhe të tjera që ju i dini më mirë se unë duhet t’i adresojmë në bllok në këtë fazë, që brenda 300-ditëshit të parë të qeverisjes, këto gjera t’i kemi vënë në letër.

Përfaqësues i një kompanie ndërtimi: Kemi një taksë të infrastrukturës 8% dhe me çmimin e shitjes. Është një taksë e lartë, sidomos kur bëhet fjalë për ndërtime voluminoze. Të paktën ky çmim të ishte me koston e ndërtimit dhe jo me çmimin e shitjes, apo një ndarje, kur bëhet fjalë për volume që kanë një shumë të madhe të vlerës, sepse na pengon në investime.

Kryeministri Edi Rama: Më duhet të prish qefin në fund, të them që asnjëra as tjetra nuk bëhet. Një shtet duhet të thotë, “po” ose “jo”. Kështu që unë nuk do të them “ta shohim”. Kush ndërton volume të mëdha, edhe do të paguajë. Faktikisht, taksa po funksionon dhe është edhe një garanci cilësie në një kuptim.​

Përfaqësues i Shoqatës së Inxhinierëve Projektues: Në këtë planifikim që ju mendoni, një nga elementët kryesore që ne ju sugjerojmë është masterplani i rrjetit rrugor. Ajo që na mundon është që në tenderët që organizohen në të gjithë subjektet, klientët tanë, ku kryesori është Drejtoria e Rrugëve, ku për 12 vjet, që është bërë një punë që duhet të rishikohet. Ligji i prokurimit publik është i saktë. Metodika e aprovuar nga Këshilli i Ministrave, është katrahurë. Ka 50 pikë ajo që quhet metodika dhe ajo është subjektive. 

Kryeministri Edi Rama: Është shqetësim që ne ndajmë. Ministri ka edhe një eksperiencë personale si jurist, në lidhje me legjislacionin e Prokurimit Publik, për të cilin dikur ka qenë pjesë e një projekti të Bashkimit Europian. E njeh legjislacionin mjaftueshëm, për të qenë në gjendje të marrë dhe të trajtojë të gjitha shqetësimet e nxjerra.

Jam shumë dakord me ju. Drejtoria e Rrugëve është një ndër shfaqjet më brutale të Shqipërisë së vjetër, nuk ka lidhje me Shqipërinë që duam dhe kjo nuk është parullë, por është fakt. Kërkon një reformë rrënjësore, për të cilën, ne po punojmë, sikundër kërkon edhe një rritje të konsiderueshme të cilësisë së burimeve të veta njerëzore. Por ne do të nisemi tek identifikimi i të gjithë boshllëqeve të krijuara me dashje apo pa dashje, – kjo pak rëndësi ka sot, – në legjislacion, në metodika e me radhë. Pjesë e reformës së reduktimit të licencave, të dokumenteve etj., do të jetë edhe ky sektor ku ndodhin çudira me licenca, autorizime, letra etj.. Ndërkohe që mbetet sfida për të pasur projekte serioze. Unë kam parë me sytë e mi në projektin e rrugës së Qafë-Plloçës, në një segment doli nevoja për një ekstra financim, sepse në projekt, një urë ishte parashikuar gabimisht me 14 metra diferencë. Nuk ishte urë, ishte një vijë në ngjitje apo në zbritje, me 14 metra diferencë nga njëra anë në tjetër mes dy shpateve të atyre kodrave të larta. Katastrofë! Sigurisht që këto sjellin nevojën për të shpenzuar fonde, që fare mirë mund të përdoreshin për të bërë edhe për një rrugë tjetër. Sjellin stres dhe shqetësime pafund për njerëzit. Dy By-passet e Fierit dhe të Vlorës janë gangrenat tipike të kësaj historie, projekt mizerje, garë mizerje, kontratë mizerje, supervizion mizerje dhe në fund fare, bllokim total i vendit gjatë gjithë periudhës së verës, pengesë për ekonominë, pengesë për njerëzit. Këto gjëra duhet të përpiqemi dhe do të përpiqemi t’i evitojmë në start se, në qoftë se nis mbrapsht, përfundojmë edhe më mbrapsht, siç ju e dini shumë mirë.

Përsa i përket shqetësimeve konkrete të tjera që ju keni, ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është në qeveri ekzaktësisht për të qenë avokatja e sipërmarrjes, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, për të pasur në qeveri direkt kontaktin me secilin nga ju. Një kontakt direkt që çdokush që ka një biznes në Shqipëri, të madh a të vogël, s’ka nevojë për të kërkuar mik, për të kërkuar deputetin, apo kushëririn e ministrit për “si ta gjejmë anën e t’ia çojmë fjalën që po na bëhet një padrejtësi”, por çështja merret menjëherë në shqyrtim nga qeveria, nga çdo ministër përkatës. Vetëm në këto javë të punës kam parë çdo javë, rastet e zgjidhura në kohë reale të sipërmarrjes vetëm nëpërmjet këtij mekanizmi. Çudi nga më të mëdhatë, ngërçe shumëvjeçare, probleme me tatimet, probleme me inspektoratin, gjoba etj., kështu që mos hezitoni, qoftë sa i përket nevojave tematike, kur një shoqatë, apo një grup profesionistësh duan të trajtojnë një nevojë tematike me pika, qoftë edhe për çdo rast e problem konkret që keni me shtetin, kontaktin e drejtpërdrejtë e keni me ministren dhe është kontakt i drejtpërdrejtë me qeverinë. Të gjitha ankesat e biznesit lexohen në fund të mbledhjes së qeverisë, çdo javë. Ministria që mbron sipërmarrjen lexon sa biznese janë ankuar. E fillon me radhe “x” biznes është ankuar për këtë, çështja është trajtuar nga ministri përkatës, u zgjidh. “Y” biznes është ankuar për këtë, çështja është në trajtim, për këtë përgjigja është negative dhe aty diskutohet pse është përgjigja negative. Sigurisht ka edhe raste kur ankesa nuk qëndron, por ama trajtohet drejtpërdrejtë aty.

Edhe platforma e bashkëqeverisjes që ne kemi nxjerrë online nuk është platformë partie, nuk është e hapur vetëm për ata që votojnë për ne. Aty mund të futen të gjithë dhe është një dritare vetëm për biznesin dhe çdo ankesë, çdo kërkesë, çdo nevojë që një biznes shkruan aty, menjëherë jep sinjalin në kompjuterin e zyrës së ministres. Kështu që, lidhje më të afërt nuk ka, për ta bërë qeverinë mikun e drejtpërdrejtë. Nuk ka nevojë për të shkuar me i “fut mik qeverisë”. Qeveria duhet të jetë miku më i drejtpërdrejtë dhe më i madhi i çdo njeriu të zakonshëm dhe i çdo biznesi. Edhe nëse nuk zgjidhet, kjo është një përgjigje e qeverisë. Nuk është më çështje “nuk po e takoj dot ministrin”, apo “s’ma ngriti telefonin” dhe fati i një sipërmarrjeje mbetet në dorën e një grupi inspektorësh, të një vendimi tatimorësh, të një zyre që i bie shkurt e jep një përgjigje formale, apo i zyrës së ish-letrave të popullit në Kryeministri, ku mund të keni shkruar edhe ju plot herë dhe përgjigjja është – drejtohuni institucionit përkatës. Kjo është e tejkaluar. Këtu është nevoja për besim. Sigurisht besimi nuk mund të krijohet me fjalë, krijohet me fakte, por ju duhet të na vini në provë. Është më lehtë direkt tek qeveria, sesa t’i biesh larg e larg, ose se të shkosh të kërkosh nga media që të ngrejë një problem. Edhe ato janë gjëra që bëhen, por nuk ka nevoje për të konsumuar kohë. Nëse keni një problem me administratën, direkt tek ministrja që është avokatja e sipërmarrjes në qeveri dhe ka detyrën që t’i kërkojë qeverisë të mbajë pozicion për çdo ankesë që nuk gjen zgjidhje.