Transmetuar më 07-11-2017, 15:13

“Nëse po e lexon këtë letër, do të thotë se ndërhyrja nuk shkoi mirë”. Më këto fjalë e nis letrën e saj Peggy Summers, për vajzën e saj Hannah, pak kohë përpara se të ndahej nga jeta.

55 vjeçarja vuante nga kanceri në veshka, por përpara së të mbyllte sytë i shkroi një letër të bijës e cila e shpërndau mesazhin e nënës në rrjetin social Twitter. E reja dëshironte tu dërgonte një mesazh të rinjve që të përqafojnë prindërit e ti dëgjojnë gjithmonë.

Peggy para se të operohej i shkroi një letër vajzës dhe bashkëshortit. Por pas 4 muajsh ajo nuk ia doli dhe sëmundja e kancerit e mundi.

“Më vjen keq. Luftova, bëra të pamundurën për të mposhtur këtë sëmundje të tmerrshme por besoj se Zoti kishte të tjera plane për mua. Ju lutem mos u inatosni. Gjëra të pakëndshme na ndodhin të gjithëve në jetë. Duhet të mësojmë t’i përballojmë, edhe nëse na bëjnë të ndihemi keq. Dua që ti të jesh e lumtur.

Jam e sigurt se do të jesh një infermiere e zonja një ditë. Studio mos u shqetëso për punën. Dedikohu shkollës. Ji e duruar me babin, do të jetë e vështirë për të e do të ketë nevojë për kohë. Duhet të flisni. Nuk është pika jonë e fortë por duhet t’ia dilni. Kujto se ke plot njerëz që të duan dhe mund të flasësh. Kujto gjithmonë se do të jem gjithmonë me ty e do të jem gjithmonë krenare për ty. Nëse një ditë do të kesh fëmijë, tregoju gjithmonë sa shumë të dua dhe sa do të doja të isha aty për t’i njohur.

Do të arrish gjëra të mëdha në jetë e unë do të jem me ty, në të gjitha momentet e tua të rëndësishme. Shijoje jetën sikurse të ishte dita e fundit. E mbi të gjitha kujto gjithmonë se të dua aq shumë sa nuk e imagjinon dot” e mbyll letrën e saj nëna.

E pas postimit të këtyre fjalëve në rrjetin social Twitter të shumta ishin komentet e lexuesve të cilët u prekën nga një mesazh i tillë drithërues.