Transmetuar më 14-10-2017, 12:27

Kryetari i Partisë Demokratike paralajmëron nisjen e një turi në gjithë vendin, kundër TVSH-së për biznesin e vogël.

Në një komunikim me gazetarët ditën e sotme ai tha se ditën e nesërme ai dhe Partia Demokratike do të nisin një tur takimesh në vend me qytetarë dhe përfaqësues të biznesit kundër rritjes së TVSH-së.

“Ne e konsiderojmë një çmenduri në kushtet e gjendjes ekonomike të vështirë të vendit, sepse do të rriten çmimet anembanë vendit. E sigurtë është që prej janarit çmimet e konsumit do të rriten. Kjo ndodh kur 30% e shqiptarëve nuk paguan dot shportën e ushqimeve bazë. Interesi i njerëzve duket se është i fundit për këtë qeveri”, u shpreh Lulzim Basha.

Ai tha se nga futja e biznesit të vogël në TVSH, do të rriten çmimet me 5 apo 15%.

“Apeli i opozitës është të mos futet biznesi i vogël në llogaritjen e TVSH. Efekti i dytë është ndalja e investimeve, nis një cikël krize për biznesin e vogël. Efekti i tretë rritet fatura për biznesin. Do t’iu duhet minimalisht 150 mijë lekë kosto shtesë për kontabilitet”, deklaroi Lulzim Basha.

Ai tha më tej se opozita ka propozuar rritjen e kufirit për biznesin e vogël në 12 milionë lekë të reja xhiro në vit, gjë që sipas tij do të mundësojë që asnjë biznes i vogël të mos ketë motivim për të mos prerë kuponin tatimor. /a.y/noa.al