Transmetuar më 13-10-2017, 12:58

Presidenti Ilir Meta thotë se kërkesën e homologut të Kosovës Hashim Thaçi, për dhënien e shtetësisë qytetarëve të Kosovë, e sheh si protestë në emër të të drejtave të qytetarëve.

“Kërkesën e Thaçit për pasaportat e vlerësoj si një protestë në emër të drejtave të qytetarëve të Kosovës”, tha Meta në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.

Ai shtoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizove.

Në këtë linjë e cilësoi si një kushtëzim jo të drejtë dhe racional të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me çështjet e demarkacionit.

“S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Po të varej prej meje dhe për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë kjo gjë do të ishte bërë që dje e jo që sot”, u shpreh Meta.

Megjithatë ai shtoi se kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës.

Në vijim tha se Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës ‘Shengen’ të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë.

Ai sqaroi se një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

“Mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë. Duhet të shtojmë përpjekjet tona për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave. Duhet të punojmë dhe në mirëkuptim dhe në mirëbesim edhe me palët e Malit të Zi, por edhe me BE për çështjen e demarkacionit”, u shpreh Presidenti. /a.y/noa.al