Transmetuar më 12-10-2017, 20:30

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi.

Byroja e Kuvendit ka marrë vendim për deputetin e Partisë Demokratike Flamur Noka, për bllokim të foltores në Kuvend dhe për fyerje të kreut të Parlamentit Gramoz Ruçi.

Ndërkaq nënkryetari i Kuvendit, demokrati Edi Paloka tha se deputeti Noka nuk ka shkelur asnjë nen të Rregullores.

Sipas Palokës “Rregullorja e thotë qartazi që kur kërkohet fjala për procedurë jepet menjëherë”.

Fjala nga zotit Noka sipas Palokës “është kërkuar sepse kemi pasur një akt skandaloz nga kryeministri, i cili e ka pranuar edhe para mediave se ka folur si shpesh herë, ka bërë rrugaçin në karrigen e kryeministrit”.

“Byroja këtë nuk e dinte, por u morën dhe dënuan deputetin Noka, i cili kërkoi një të drejtë që ia jep rregullorja. Për ne nuk mund të jetë rastësi. Gramoz Ruçi po zbaton urdhrat e Edi Ramës për të kthyer këtë Parlament në një kuvli të Partisë Socialiste. Në mënyrë cinike na u tha, atëherë keni të drejtën të bëni një mocion mos besimi ndaj kryetarit”, u shpreh Paloka.