Transmetuar më 12-10-2017, 17:54

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për rritjen e taksës për biznesin e vogël. Me anë të një statusi në Facebook, Vasili shkruan se kreu i qeverisë është mik i oligarkëve dhe armik i bizneseve të mbijetesës.

"Pavarësisht se gjithë Europa ka fasha përjashtuese për TVSH-në, për biznese të vogla, shkollëpaku në emër të oligarkisë e bëri sërish Shqipërinë fanar ndriçues në Europë për diskriminimin e biznesit të vogël. Oligarkët me shumë sinqeritet u deklaruan të kënaqur me të dytën se telekomandën e kryeministrit e kanë ata”, shkruan Vasili.

Më tej Vasili kujton fjalët që thoshte kryeministri në nëntor të vitit 2015, kur ja hiqte të gjitha detyrimet biznesit të vogël dhe e konsideronte aleat në luftën kundër informalitetit.

"Rezultatin e parë të këtij operacioni jua dedikojmë juve. Nuk është se e kemi mirë arkën e shtetit, për të pasur mundësira të mëdha, por besoj se këto para duhet të shkojnë tek ju, tek të gjithë ata që vetëpunësohen. Me hyrjen në fuqi javët e ardhshme të këtij plani, ne i konsiderojmë bizneset e vogla aleatë në betejën kundër informalitetit për të bllokuar shkarkimin e paligjshëm të TVSH-së nga të mëdhenjtë", shprehej Rama në atë kohë.

Por sot sipas Vasilit ky kryeministër qesharak në tetor 2017 ja vë taksat biznesit dhe e shndërron në armik publik dhe ja ç’thotë: "Ne duam që TVSH të mos përfundojë në xhepat e një grushti të pasurish. Mosdhënia dhe mosmarrja e faturës së TVSH-së është arsyeja pse i bëmë pjesë të skemës. Rezulton se ka disa biznese që deklarohen si të vegjël e qahen si të vegjël, por që nuk janë të tillë". /b.l/noa.al/