Transmetuar më 12-10-2017, 17:39

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas shtyrjes për herë të dytë të seancës plenare nga Gramoz Ruçi, ka thënë para mediave, se Rama ka frikë të përballet me të vërtetat dhe faktet e opozitës. Ai akuzoi nga pjesa e jashtme e selisë së Parlamentit kryetarin e Kuvendit Ruçi se prej dy javësh bllokon debatin parlamentar që sipas tij synon t’i mbyllë gojën opozitës.

“Edi Rama i trembet këtij debati dhe do të bëjë gjithçka për ta shtyrë debatin. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë këtë debat. Ne nuk qeverisemi nga qeveria por nga bandat që kanë sjellë Ramën në pushtet. Nuk ka dëshmi më të qartë se kjo, nuk ka asnjë arsye Ruçi të shkelë rregulloren, përveç frikës së Ramës për tu përballur me opozitën. Ka dy javë që nuk lejohet debati. Tepsinë e ka për vete timonin për vete, tani do ti mbyllë gojën parlamentit”, u shpreh Basha.

Ndërsa nga ana e tij kreu numër një i qeverisë Edi Rama u shpreh se opozita duhet të mësohet me faktin se Kuvendi funksionon në bazë të rregullores për të cilën sipas tij janë dakordësuar dhe kanë miratuar bashkë.

“Jemi vërtet në pozitë të vështirë, nuk ja dalim dot që ta arrijmë momentin që opozita të bindet që parlamenti klub të dehurish siç ishte katër vjet nuk është. Ky parlament i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit funksionon në bazë të rregullave të miratuara bashkarisht.

Mbi bazën e këtyre rregullave do funksionojë do apo nuk do PD bashkë me motrën tonë të përbashkët LSI. Do apo nuk do kushdo qoftë që ca për fajin e vetë ca për fajin tonë u mësua si në mejhane të flasë si të dojë. Si i bëhet që opozita ta kuptojë këtë gjë, të mos kërkojë atë që nuk ka për ta realizuar dot, shkeljen e rregullores në emër të lirisë?”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri ka shprehur keqardhje që opozita përdor lirinë për tu ankuar për mungesën e saj në vend që ta përdorin për axhendën e tyre.

“E njëjta axhendë ishte para zgjedhjeve. Është rihapur çadra, është vënë pllaka e gramafonit të para zgjedhjeve që shqiptarët e thyen dhe e bënë copa e çika. Opozita kërkon debat dhe nuk bën debat”, tha Rama. /b.l/noa.al/