Transmetuar më 12-10-2017, 16:25

Gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore, Presidenti Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta me krerët e partive parlamentare në Kosovë.

Meta u takua me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, me Kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa si dhe me Përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç.

Gjatë këtyre takimeve u vu në dukje dhe u theksua nga Presidenti Meta rëndësia që mbart bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i të gjitha forcave politike për ardhmërinë dhe perspektivën integruese evropiane të Kosovës.

Në takimin me Vetëvendosjen, Presidenti Meta i përgëzoi për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit dhe theksoi rendësin e jashtëzakonshme që ka roli i opozitës në demokraci për të rritur përgjegjësin dhe cilësinë e qeverisjes në vend dhe për të afruar një alternative më të mirë për të ardhmen.

Presidenti Meta theksoi rolin e opozitës dhe të Vetëvendosjes në Kosovë për të kontribuar në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës përmes bashkëpunimit dhe konsensusit edhe me mazhorancën për çështjet me madhore që kanë të bëjnë më te ardhmen evropiane të vendit.

Në takimin me liderin e LDK-së ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë të LDK-së, Presidenti Meta shprehu vlerësimin për kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të LDK-së për gjithë këto dekada për pavarësinë e Kosovës, konsolidimin e demokracisë, dhe shprehu besimin se edhe pse një opozitë mjaft aktive, LDK me përvojën e saj do te kontribuojë për të bashkëpunuar me mazhorancën aktuale rreth çështjeve më madhore që lehtësojnë progresin në rrugën euroatlantike të Kosovës.

Në takimin me Liderin e Listës Serbe zotin Simic, Presidenti Meta shprehu konsideratën e lartë për rolin konstruktiv të Listës Serbe në konsolidimin e institucioneve të Kosovës si dhe të frymës së bashkëjetesës mes komuniteteve në Kosovë. Meta gjithashtu vlerësoi kontributin e Listës Serbe për rrugën e integrimit evropian të shtetit të Kosovës. /b.l/noa.al/