Transmetuar më 12-10-2017, 15:39

E ëma e njërit prej fëmijëve tregon tmerrin që përjetuan kur panë sesi dhunoheshin nxënësit në shkollën ku mësonte fëmija i tyre.  “Familjarët, pas asaj që panë në Fiks Fare, më thonë të mos e çojmë më fëmijën në shkollë”, shprehet ajo.

Një ditë pas transmetimit të skandalit të dhunës që ushtronin mësuesit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollën Speciale Luigj Gurakuqi, ka pasur reagime të shumta nga mediat, prindërit, Ministria e Arsimit dhe policia.

Lidhur me rastin në fjalë të dhunës së ushtruar brenda ambienteve të shkollës kundrejt fëmijëve, janë proceduar penalisht mësuesit.

Në bazë të pamjeve filmike të shfaqura në emisionin investigativ "Fiks Fare", shërbimet e policisë së Tiranës proceduan mësueset: D.K., 56 vjeçe, M.Ç., 45 vjeçe, G.Ç., 59 vjeç, M.H., 28 vjeçe, E.M., 43 vjeçe, E.Gj., 40 vjeçe, V.K.,44 vjeçe, N.Sh., 60 vjeçe, E.T., 55 vjeçe, dhe K.F., 40 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.

Shtetasit e lartpërmendur, me profesion mësues, në ambientet e brendshme të shkollës "Luigj Gurakuqi", keqtrajtonin, ofendonin dhe dënonin nxënësit me probleme të shëndetit mendor.

Në këtë institucion mësojnë 125 nxënës të moshës 6-19 vjeç që kanë probleme të ndryshme të shëndetit mendor, që nga fëmijët me prapambetje të madhe mendore deri tek fëmijët me autizëm.

Kamerat e “Fiksit” sollën gjuhën e ashpër të mësueseve, të cilat u thonë fëmijëve "pabuksa" dhe "kokëderra". "Hajde këtu more pabuks" i thotë mësuesja një fëmije duke e tërhequr me forcë nga krahu që ta ulte në bankë. Ndërsa një tjetër mësuese i thotë fëmijës "Uli këmbët more kokëderr". 

Përveç gjuhës agresive, mësuesit edhe qëllojnë fëmijët që nuk u binden. Një mësuese e godet fëmijën me lodra disa herë që të qëndrojë në bankë pa lëvizur. Po ashtu, mësuesi i fizkulturës godet një fëmijë që shkon tek një pemë në cepin e oborrit të shkollës.

Në klasat ku zhvillohet mësimi, mësuesit dënojnë nxënësit në një kënd që është në cep të klasës. Ato thonë që vendosim aty fëmijët që janë agresivë dhe shqetësojnë fëmijët e tjerë.

Lidhur me rastin e mësuesve të proceduar, materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale "Keqtrajtim i të miturit"./b.l/noa.al/