Transmetuar më 12-10-2017, 10:24

Kryedemokrati Lulzim Basha ka debatuar sërish sot, qysh në nisje të seancës parlamentare me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.

Basha e akuzoi Ruçin se po e kthen Kuvendin, nga absurd, në qesharak dhe tragjik.

“Nuk mundet që parlamenti të votojë pro ose kundër, kur rregullorja e përcakton qartë

detyra jote është të respektosh rregulloren. Është problemi i këtyre burrave dhe grave që njësoj si para 30 vitesh ngrenë dorën. Mësoje nuk e ke këtë pushtet. Nuk ta ka dhënë njeri këtë pushtet. Zbato rregulloren, mos u vër kazmën punimeve të Parlamentit. Ndonëse e ke porosi, mos i vër kazmën Parlamentit, zbato rregulloren. Rregullorja ka disa parashikime mbi futjen ose jo të ligji”, u shpreh Basha.

Ai kërkoi që kryeparlamentari të konsultohet me ekspertët dhe me këshillin e rregullores.

Basha sqaroi se e bën këtë sqarim, pasi siç tha ai nuk dëshiron që seanca të degjenerojë si e kaluara, ku kreu i opozitës u përjashtua.

“Nuk ke të drejtë të amendosh rregulloren me votën e grupit parlamentar”, tha Basha.

Në replikë ndaj tij Ruçi lexoi rregulloren e Kuvendit, duke cituar se procedura e ndjekur prej tij është e drejtë.

Gjithë debati nisi pasi kryetari i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule kërkoi që ligji për minoritetet të hiqet nga rendi i ditës.

Ruçi e hidhi në votim këtë propozim dhe shumica vendosi që të qëndrojë në rendin e ditës.

Nga ana e tij Dule pyeti se pse ky ligj mbrohet nga ministria e Jashtme dhe jo nga ajo e Drejtësisë apo e Brendshme. /a.y/noa.al