Transmetuar më 12-10-2017, 08:04

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është shprehur se akuzat e bëra nga Kryeministri Edi Rama në adresë të ish drejtuesve të kësaj force politike, kanë ardhur si rezultat për të faturuar dështimet e tij në qeverisje.

Kryemadhi deklaron se ky është një sulm i papërgjegjshëm nga ana e tij, por në kohën kur ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për ç’kanabizimin e Shqipërisë dhe Rama e shkarkoi, LSI duhej të ishte shprehur më e fortë dhe më e qëndrueshme.

Sipas saj, Rama po mundohet t’i faturojë LSI-së dështimin e tij.

“Është një Kryeministër i cili  mund ta kishte ndalur këtë lloj llumi . Gjithmonë zoti Rama është munduar të gjej defektet ose mosrealizimet e punës së  vet te partnerët ose te të tjerët . Meqenëse zoti Rama i ka kërkuar fajtorët te kolegët kjo ishte dhe një nga arsyet që ne nuk pranuam të ishim më pjesë e llumit të Edi Ramës dhe keqqeverisjes”, u shpreh Kryemadhi në një intervistë për ‘Klan plus’.

Kryemadhi tha se LSI i njeh edhe vetes gabime gjatë bashkëpunimit me Kryeministrin Edi Rama .

“Në kohën kur ministri Ylli Manjani i kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për ç’kanabizimin e Shqipërisë dhe Rama e shkarkoi, LSI duhej të ishte shprehur më e fortë dhe më e qëndrueshme. Për hir të marrëveshjes së saj me partitë politike, mori këto kosto për të qenë pjesë e kësaj bashkëqeverisjeje që ka pasur edhe gjëra të mira dhe jo vetëm të këqija”, tha Kryemadhi.

Ajo tregoi se gabimi më i madh i LSI-së është që ajo nuk reagoi në momentin kur e shihte që çdo ditë e më shumë policia po kapej nga krimi i organizuar.

“Për arsyen se sot është shumë e vështirë, jo vetëm për LSI-në dhe qeverinë, por ka dhe një kosto më të madhe për shqiptarët”, u shpreh Kryemadhi.

Në lidhje me qëndrimet e PD-së ndaj LSI-së të cilët e quajnë ende në tranzicion, kryetarja e LSI-së, theksoi se personat që kanë artikuluar këtë kanë ose mungesë eksperience politike, o janë peng i marrëveshjes së 18 majit.

Sipas saj, ishte PD ajo që bëri kuorumin e PS-së që të kishte mundësi për të blerë dy këshilltarët e LSI-së apo dhe çështja e Gramoz Ruçit.

Ajo u shpreh se LSI ka deklaruar se nuk do ta votojë Gramoz Ruçin dhe jo që do t’a votojmë kundra.

Për Kryemadhin, Ruçi nuk e meritonte të ishte kryetar i Kuvendit, jo si individ, por sepse karriget që përfaqësojnë deputetët e PS, janë karriget e blera me parat e krimit.

Ajo ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas saj, askush nuk mund të ndalojë bashkëpunimin; pasi LSI është e hapur për bashkëpunimin në luftën kundër krimit.

Pavarësisht kësaj, Kryemadhi tha se koalicioni më i rëndësishëm për LSI-në është në shërbim të shqiptarëve.