Transmetuar më 12-10-2017, 07:43

Ish-deputeti Eduart Ndocaj deklaron se e njeh biznesmenin italian që ka ngritur padi kundër tij për mashtrim, por për vetë padinë la të kuptohej se ajo është një “sulm politik”.

Në lidhje telefonike të drejtpërdrejtë me ‘Top Story’ këtë të mërkure, Ndocaj i quajti të pavërteta akuzat dhe tha se nuk jeton me ryshfete.

Sot opinioni është njohur me një padi që ju ka bërë një biznesmen italian, ku ndër të tjera ju akuzon se keni marrë ryshfet për të ndërmjetësuar pranë Kryeministrit, që ai e ka takuar falë jush për marrjen e një tenderi. Keni diçka për të thënë për këtë akuzë?

Absolutisht janë të pavërteta. Unë në 15 vite që merrem me biznes kam sjellë mbi 1 mijë biznesmenë italianë dhe nuk ekziston diçka e tillë. Unë jetoj me biznesin tim dhe jo me ryshfete. Pretendimi i tij është një montim. Ishte hera e tretë që shkonte në Policinë e Lezhës dhe këtë radhë ja pranuan denoncimin, sepse nuk është pranuar asnjëherë. Unë nuk kam asnjë konflikt me këtë person. Ky zotëria ka një problem të jashtëzakonshëm. Është i moshuar dhe ka gati një vit që është larguar nga biznesi i tij se ka probleme me shtetin dhe me kujtesën dhe mendtë e tij dhe familja e ka larguar nga biznesi dhe po krijon disa dallavere me disa njerëz në qytetin e Lezhës që e kanë marrë si objektiv për një sulm politik. Sa i përket ndalimit nga policia, e kam bërë me shumë dëshirë sepse nuk kam patur asnjë konflikt. Nuk jam arrestuar! Jam ndaluar për një verifikim.

Ne kemi publikuar në lajmet e Top Channel padinë e këtij shtetasi italian, ku thotë se në Lezhë ju i keni mundësuar atij një takim me Kryeministrin e vendit, është kjo e vërtetë?

Që ka pas takim është shumë e vërtetë, por nuk është vetëm ai që ka pas takim. Kam krijuar shumë takime për biznes, por jo me ryshfete. Ky zotëria ka një kontratë me ndërmarrjen ku bashkëshortja ime ishte administratore dhe vazhdon të ketë një kontratë për një makinë që ka vlerën 78 mijë euro. Vlera që ai e cilëson si korrupsion është vlera e makinës me një kontratë të rregullt të noterizuar në Itali dhe jemi në një proces që do të bëhet i ditur në ditët në vazhdim. Është një proces ku bashkëshortja ime si individ në Itali, ku ka një kontratë. Para një viti, zotëria e ka denoncuar të vjedhur, ndërsa tani thotë sikur unë ja kam përvetësuar makinën.

Ju thatë që padia është refuzuar dy herë të tjera dhe këtë herë u pranua. Po thoni që ka sulm politik ndaj jush?

Dikush e ka marrë me shumë dëshirë që të më sulmojë dhe s’ka gjet asnjë shkak tjetër.

Cila është arsyeja?

Është ajo pjesë që unë në politikë nuk i kam bërë servilin as Kryeministrit, as ministrit dhe askujt tjetër, përveç asaj që kam menduar dhe besuar vetë, për shoqërinë shqiptare.

Ju do t’i riktheheni aktivitetit politik?

Unë jam kryetar i Bashkimit Demokristian. Politika ishte një përvojë e re dhe kur e merr një punë dhe e bën me pasion, siç e bëra unë në këto tri vite, kërkon ta vazhdosh atë pasion. Mendoj që në politikën shqiptare duhet të hyjnë biznesmenë të ndershëm.

Zbardhet kallëzimi i biznesmenit italian: Ndocaj mori 50 mijë euro ryshfet për zyrtarin e qeverisë

Reagon Ndocaj: Nuk jam ndaluar, ndodhem në traget duke shkuar në Itali

Ndalohet ish-deputeti Eduart Ndocaj, akuzohet për mashtrim