Transmetuar më 11-10-2017, 18:12

Kryeministri Edi Rama vizitoi ditën e sotme Italinë, ku u prit nga homologu Paolo Gentiloni.

Pas takimit liderat e dy vendeve zhvilluan një konferencë për mediat, duke u ndalur në fushat e bashkëpunimit dhe çështjet problamatike.

Në fjalën e tij Gentiloni tha se u diskutua se si mbi bazën e këtyre marrëdhënieve si fqinj të mirër mund të përforcohen marrëdhëniet dypalëshe.

“Kemi një shkëmbim prej 2.3-2.4 miliardë eurosh mes dy vendeve tona. Kemi më shumë se 600 ndërmarrje italiane që punojnë në Shqipëri. Diskutuam mbi mundësinë për t’i intensifikuar akoma më shumë këto marrëdhënie. Italia importon mallra të shumta nga Shqipëria. Mund të bëjmë më shumë, edhe përsa i përket pranisë së ndërmarrjeve italiane, të mesme e të mëdha, në vend”, u shpreh Kryeministri Italian.

Ai u ndal në bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të lëndëve narkotike, kundër rreziqeve për sigurinë si pasojë e terrorizmit.

Marrëdhëniet e mira mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumë të rëndësishme, sepse kontribuojnë për stabilitetin, paqen dhe dialogun në të gjithë rajonin. Rajon që në njëzet vitet e fundit kaloi nga kriza dhe tensione të mëdha në një rrugë zhvillimi dhe bashkëpunimi”, i shoreh ai.

Më tej tha se stabiliteti i rajonit është një e mirë e çmuar për të gjithë Europën dhe për Mesdheun dhe që nuk mund të humbasë.

“Ndaj jam i lumtur që nga ky takim mes Italisë dhe Shqipërisë do të lindë një shtysë e re, jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për kontributin që dy vendet tona mund të japin për stabilitetin në rajon”, deklaroi Gentiloni.

Nga ana e tij Rama tha se Italia nuk është thjesht dhe vetëm një partnere strategjike për Shqipërinë, por edhe një vend që e ndjejmë shumë pranë në të gjitha pikëpamjet dhe që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë Shqipërisë në rrugën e saj të vështirë të ndryshimeve dhe të kalimit nga një diktaturë e çmendur, në një shtet të së drejtës europiane.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se Italia është një partnere kryesore në rrugën për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt, një vend të së drejtës.

Ai falënderoi homologun italian për ndihmën në fushën e sigurisë, veçanërisht në luftën kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit dhe fitoren mbi këtë fenomen, por edhe në fushën e drejtësisë, veçanërisht për të çuar përpara një reformë të drejtësisë që sipas tij, është një nga shtyllat për Shqipërinë e së nesërmes, por edhe për pranimin në Bashkimin Europian.

“Nuk ka dyshim që rezultati spektakolar, që do të bëhet i ditur në ditët e ardhshme, edhe falë vizitës të Ministrit italian të Punëve të Brendshme, kundër kultivimit të kanabisit është një ndër rezultatet e shumta të këtyre viteve, që mund të konsiderohen si fryt i bashkëpunimit dhe ndihmës së Italisë”, u shpreh Rama.

Në pikëpamjen ekonomike, ai tha se është bërë shumë, por ka një potencial shumë të madh për të bërë akoma më shumë ndaj shprehu bindjen se do të nisë një rrugë e përbashkët për të bërë në 2018-ën, një hap përpara dhe për të parë më shumë drejt ndërmarrjeve të mëdha italiane, të cilat mund të marrin një shembull shumë të mirë nga të gjithë ata që operojnë tashmë në Shqipëri.

Rama nënvizoi se Italia ka bërë dhe bën për Shqipërinë në nivel europian dhe për sa i përket mbështetjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që të jenë pjesë e kësaj familjeje, sepse Italia ka qenë gjithmonë dhe mbetet mbrojtësi më i madh i Shqipërisë në selinë europiane.

“Ne besojmë fort se kemi bërë gjithçka për të hapur negociatat, gjithçka që ka të bëjë me atë që na u vu përpara si detyrë shtëpie dhe jam i sigurtë se me ndihmën e Italisë në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera, gjërat që janë bërë, mund të marrin rëndësinë e duhur, që ta çojmë akoma më tej këtë proces dhe të hapim negociatat për pranim vitin tjetër”, deklaroi Edi Rama. /a.y/noa.al