Transmetuar më 11-10-2017, 12:54

Në Sallën e Hartave pranë mjediseve të Kryeministrisë u zhvillua ceremonia e diplomimit të pjesëmarrësve aktualë dhe prezantimit të atyre të rinj në Programin “LEAD Albania”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zv.Kryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi, kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim Michael Granoff dhe anëtarë të tjerë të Bordit pranë këtij institucioni.

Në fjalën e saj,Mesi vlerësoi kontributin e diplomuarve të këtij programi, të cilët me pasionin e përkushtimin e tyre kanë qenë shembull dhe vlerë për të gjitha institucionet ku kanë shërbyer, sikundër shprehu bindjen gjithashtu se edhe pjesëmarrësit e rinj për vitin 2018 do të punojnë me të njëjtin entuziazëm dhe përgjegjshmëri.

Zv.Kryeministrja duke përcjellë mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer ndër vite me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për identifikimin dhe promovimin e të rinjve të talentuar, theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit të konsoliduar strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Brenda këtij kuadri marrëdhëniesh, ajo u ndal gjithashtu edhe tek një vendim që ka marrë së fundmi ky fondacion në lidhje me krijimin e mundësive për kryerjen e programeve të Masterit dhe Internshipit në institucionet më të rëndësishme të SHBA për të rinj e të reja nga sektori publik dhe privat shqiptar.

Për Qeverinë Shqiptare, shembuj të tillë suksesi që vijnë nga programi ambicioz “Lead Albania” janë motivim për një mirë-qeverisje të bazuar në filozofinë e optimizimit të kapitalit njerëzor dhe në jetësimin e meritokracisë në administratën publike, duke u përkthyer kështu në kontribut real për rrugën e shtet-konsolidimit.