Transmetuar më 11-10-2017, 12:08

Ish-ministri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, një herë në krye të diplomacisë shqiptare e më pas tek ministria e Bujqësisë rrëfen për herë të parë disa detaje të jetës së tij për të cilat s’kishte folur kurrë.

I ftuar në “Këndin e Ekselencës” në emisionin “Vila 24” në Neës 24, Edmond Panariti tregoi se profesioni i tij i parë kishte qenë kovaç. Ai tha se kurrë nuk e kishte menduar që do të katapultohej në politikë dhe tregoi telefonatën e parë më ish-kreun e kësaj partie, Ilir Metën, tashmë President i vendit.

“Kam qenë kovaç i kategorisë së katërt është një element i jetës sime që nuk e kam ndarë më parë me publikun. Po ju shpjegoj që kovaçana është një pjesë e një uzine ku bëhet farkëtimi i detaleve, edhe aty mund të bëhet karrierë, fillohet nga kategoria e 4 dhe shkon tek e 7-ta. Aty i kam marrë leksionet e para nga jeta. E preka realitetin, njerëzit e thjeshtë, mësova shumë prej tyre, pas shumë vitesh përçapje mora të drejtën e studimit për Veterinari, edhe pse kisha kërkuar mjekësi”, tha Panariti.

I pyetur nëse e kishte menduar të bëhej ndonjëherë ministër, Panariti u shpreh se “si veteriner nuk e kisha menduar se do bëhesha ministër Bujqësie, por që do më thërrisnin të isha ministër i Jashtëm kjo ka qenë surpriza më e madhe në jetën time”,- vijoi ai rrëfimin.

E duke treguar se si u bë pjesë e LSI-së, Panariti flet edhe për telefonatën e parë që i ka bërë Ilir Meta, e cila i është dukur si një shaka e stisur nga miqtë e tij.

“Kam pasur një ftesë personale nga Presidenti i vendit, zoti Ilir Meta që në atë kohë kërkonte prurje të reja, më telefonoi vetë ai, isha në shtëpi. Më tha jam Ilir Meta, unë e mora si shaka, se bënin miqtë e mi shaka të tilla. Më pas e besova, më kërkoi miqësisht të pinim një kafe, e biseduam, më kërkoi të isha pjesë e LSI dhe unë që nga ajo ditë nuk jam penduar për këtë zgjedhje”, shtoi Panarit.

Ish-ministri tha më tej se i pëlqen të gatuajë e shpeshherë ndihmon bashkëshorten e tij në këtë drejtim.