Transmetuar më 10-10-2017, 18:30

Shpesh jemi mësuar që përgjegjësinë për gabimet tona ta kërkojmë tek të tjerët.

Por rasti që paraqitet në këto foto vërteton dhe një herë se ka nga ata që nuk ndalen të ndërtojnë pa leje edhe në vende ku përbëjnë rrezik për jetën e tyre, siç është edhe bregu i lumit Tirana.

Ndonëse e gjithë kjo zonë, thuajse çdo vit është prekur nga përmbytjet, qytetarë të papërgjegjshëm nuk kanë nguruar të ndërtojnë mu në buzë të lumit.

Fotot janë publikuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe janë marrë nga aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje, në kuadër të projektit për rehabilitimin e bregut të lumit Tirana.

“Tani një pyetje kam unë – i vajte ti lumit me shtëpi në breg apo të erdhi ty lumi? Mos ndërto pa leje në lumë, s’ta ka kush borxh”, shkruan Veliaj. /b.l/noa.al/