Transmetuar më 10-10-2017, 17:37

Në Tiranë sapo kanë përfunduar duelet e turneut më të ri të tenisit në vend. Telekom Tirana Open zhvilloi me sukses edicionin e tretë, organizuar nga Tirana Tennis Academy, në National Sport Park.

Ky është turneu që mbledh të apasionuarit e këtij sporti, me shtrirje përherë e më të madhe në Shqipëri.

Lojtarë të njohur tashmë për dashamirësit e tenisit, duke përcaktuar si finalistë Tedi Benin dhe Shpëtim Hoxhën, sipas formulës Master Series.

Të dy rivalët paraqitën nivel të mirë loje, por në fund trofeu i fitimtarit i takoi Tedi Benit.

Pjesë e Telekom Tirana Open ishin dhe kategoritë meshkuj e femra për punonjësit e Telekom Albania.

Në këtë kompani, tenisi është sport që praktikohet nga një numër jo i vogël personash, si një mënyrë për të ekuilibruar punën dhe kohën e lirë pas saj.

Anila Luma dhe Erlind Pano ishin ata që zunë vendet e para, pas një loje të fortë me kolegët e tyre.

Vlen të përmendet interesimi që veprimtari të tilla zgjojnë tek publiku, i cili nuk mungoi gjatë gjithë turneut.

Kampionët si dhe finalistët e të trija kategorive, u vlerësuan me çmime nga Telekom Albania, që vazhdimisht nxit jetesën aktive dhe sportin si një element themelor të saj.