Transmetuar më 09-10-2017, 16:50

Gjatë një vizite në Lezhë, Kryeministri Rama deklaroi se të gjitha bizneset do të përfshihen në TVSH. Para banorëve, z. Rama prezantoi buxhetin e vitit të ardhshëm, ku tha se në luftën kundër informalitetit do të merren masa ndaj evazionit të kompanive të mëdha, që sipas tij shfrytëzojnë ato të vogla.

“Kemi nisur operacionin për ta çuar në një fazë të re luftën kundër informalitetit. Ajo çka nuk është normale është se beteja kundër reformës nga opozita bëhet me argumente katastrofike. Do mbyllen kaq biznese në ditë, do bëhet hataja, etj. Njësoj siç bëhej kur do zbatohej reforma në arsimin e lartë”, – tha Rama.

Ai ka theksuar më tej se qeveria do ta çojë reformën kundër informalitetit përpara, për të garantuar më shumë të ardhura për njerëzit, për më shumë shërbime, etj.

"Ne duam që TVSH të mos përfundojë në xhepat e një grushti të pasurish. Përpiqemi të bëjmë politika të drejta. Biznesi i vogël e ka taksën zero, do ta ketë zero deri në një kufi të caktuar.

Mosdhënia dhe mosmarrja e faturës së TVSH është arsyeja pse i bëmë pjesë të skemës. Rezulton se ka disa biznese që deklarohen si të vegjël e qahen si të vegjël, por që nuk janë të tillë. Limitin 15% e kanë kompanitë e mëdha, aq do ta kenë", sqaroi Rama.

Më tej Rama ka premtuar se këtë mandat qeverisës do të realizohet plotësimi i segmentit Milot-Lezhë dhe do të nisë puna për rrugën lidhëse Shëngjin-Velipojë, e rëndësishme për turizmin.

“Sot jemi me rritjen ekonomike 4 për qind, por që të ndihet tek familjet duhet të arrijë në 5 për qind dhe ne jemi të sigurt se deri në vitin e fundit të mandatit do ta arrijmë përmes investimeve”, ka thënë Rama. /b.l/noa.al/