Transmetuar më 09-10-2017, 14:13

Në kuadër të muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, mamografët e lëvizshëm ndaluan sot në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku kryen ekzaminimin e mamografisë falas gratë e punësuara në fasoneritë e zonës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u ndal te rëndësia e kontrollit të gjirit për çdo vajzë dhe grua.

“Në këtë muaj ndërgjegjësimi, nuk do të reshtim se thëni e ngulituri fort në mendjen e çdo vajze, çdo gruaje, se kanceri i gjirit është një kërcënim real për secilën prej nesh. Në Shqipëri ka çdo vit 500 raste të reja, gra e vajza të prekura nga kanceri i gjirit. Për fat të keq, shumica e rasteve shkojnë te mjeku në stade të avancuara, çka e bën kancerin e gjirit një nga shkaktarët e parë të mortalitetit tek gratë”, u shpreh ministrja.

Ajo tha se mamografët e lëvizshëm do të shkojnë aty ku janë nevojat, duke u dhënë mundësinë grave dhe vajzave të diagnostikohen në kohë.

“Ndaj jemi sot këtu duke ofruar falas shërbimin e mamografit të lëvizshëm për gratë e zonës së ish-Kënetës, duke afruar shërbimin aty ku janë nevojat. Do ta bëjmë këtë përmes një kalendari tashmë të përcaktuar, duke shkuar me mamografët tanë të lëvizshëm në çdo fshat apo qytet, duke ndihmuar në diagnostikimin në kohë të kancerit të gjirit. Jemi sot në Kënetë të Durrësit, por paralelisht, shërbimi i mamografisë së lëvizshme po ofrohet aktualisht në Fier. Më pas do të ofrojmë shërbimin në Vlorë, Gjirokastër e Përmet, për ta përmbyllur muajin me Lezhë. Por dua të theksoj se mamografët e lëvizshëm nuk do të ndalen”, deklaroi Manastirliu.

Ajo tha se do të vijohet gjatë gjithë vitit, në çdo cep të Shqipërisë, duke mundësuar falas rreth 5 mijë ekzaminime në vit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se po përmirësohet edhe flota e aparaturave për diagnostikimin e kancerit të gjirit, duket shtuar 5 mamografë të rinj për spitalet rajonale dhe një akserelator linear të dytë në spitalin Onkologjik.

Manastirliu bëri edhe një apel: “Gjej rastin t’ju bëj thirrje të gjithë grave dhe vajzave, të gjejnë gjysëm ore kohë për të kryer këtë ekzaminim në spitalet dhe poliklinikat tona, përgjatë gjithë muajit, si paradite ashtu edhe në oraret e pasdites”.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë mes grave dhe vajzave në Shqipëri.

Shënohen rreth 500 raste të reja në vit.

Bazuar në një analizë të standardizuar të vendeve të Mesdheut, probabiliteti për kapjen e hershme dhe trajtimin e kancerit të gjirit, sipas raportit të vdekshmërisë me incidencën është 35%. /a.y/noa.al