Transmetuar më 09-10-2017, 09:10

Emily Enright, shefja e njësisë për vizat jo emigruese në ambasadën amerikane, dhe Lorenc Mansaku, supervizori dhe specialisti i vizave, sqarojnë procesin e aplikimit për llotarinë amerikane.

Sipas tyre një person nuk mund të aplikojë më shumë se një herë, pasi në këtë mënyrë skualifikohet.

Në një intervistë për ‘Ora news’ Enright thotë se gabimi i parë që bën shumica e njerëzve është që aplikojnë më shumë se një herë. Ajo shton se një njeri mund ta plotësojë lotarinë vetëm një herë gjatë një viti kalendarik.

“Ne ende shohim njerëz që aplikojnë më shumë se një herë dhe nëse aplikon më shumë se një herë dhe fiton, automatikisht je i skualifikuar për shkak se ke bërë shumë aplikime. Një tjetër gabim që shohim që është i zakonshëm, apo një lloj konfuzioni, është se kur aplikon të kërkohet të plotësosh emrin, emrin e dytë dhe mbiemrin. Shqiptarët nuk kanë emra të dytë dhe nuk dinë se çfarë të shkruajnë në atë hapësirë dhe ndonjëherë shkruajnë mbiemrin. Nëse nuk keni emër të dytë, thjesht lëreni atë hapësirë bosh”, shprehet ajo.

Fotografia është një element i rëndësishëm dhe për të cilin duhet të bëhet kujdes në aplikim.

Enright thotë se njerëzit ngatërrohen ndonjëherë për fotografitë, ndërsa këshillon që të hiqen syzet kur dilet në fotografi, pasi në të kundërt skualifikohen.

“Nëse keni aplikuar për lotarinë e vitit të shkuar, nuk mund të përdorni të njëjtën fotografi si vitin e shkuar. Duhet të keni fotografi të re për lotarinë e këtij viti. Kjo bëhet për të parandaluar mashtrimin dhe probleme të tjera që kanë ndodhur në të gjithë botën. Diçka tjetër që është e veçantë këtë vit, është se kur do të ngarkosh një fotografi për aplikimin, do të mund të shihni se çfarë fotografie po ngarkoni dhe është e rëndësishme të ngarkoni fotografinë e përshtatshme me njeriun e duhur. Për shembull, Nëse unë do të aplikoja për llotarinë, gjatë aplikimit është e rëndësishme që ju të plotësoni fushat për të gjithë pjesëtarët e familjes, pra unë do aplikoja për vete, bashkëshortin dhe 3 fëmijët tanë”, shprehet ajo.

Shefja e njësisë për vizat joemigruese ne ambasadën amerikane, inkurajon qytetarët shqiptarë të aplikojnë duke u bazuar tek arsimimin i tyre. Madje për sa u përket profesioneve në wbsiteen e lotarisë janë vendosur dhe sqarime mbi to. Dy zyrtarët e lartë të ambasadës amerikane, sqarojnë gjithashtu se gjuha angleze nuk është kërkesë për të aplikuar në programin e vizave. Ata i bëjnë thirrje qytetarëve që ti drejtohen websitit zyrtarë pasi ofrohet një guidë në shqip.