Transmetuar më 08-10-2017, 15:03

Tiranë, NOA.al- Gjithë territori paraqitet me kthjellime dhe vranësira të lehta, më të shpeshta në zonat qendrore dhe lindore. Pjesa e dytë e ditës do të shtojë vranësirat në vend, kryesisht në qendër dhe Jug të vendit duke rrezikuar nga shira të izoluar në zonat qendrore. Mbrëmja dhe orët e natës ri-kthejnë kushtet e kthjellimeve në të gjithë territorin shqiptar.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të rriten me 2- 3°C gjatë mëngjesit por vetëm një rritje të lehtë sjellin orët e mesditës. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare me shpejtësi 37 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke gjeneruar në det dallgëzimin 3 ballë.

Europa

Europa Lindore dominohet nga vranësira dhe reshje shiu e dëbore. Po ashtu, brigjet Perëndimore të Europës dhe Britania do të përfshihen nga vranësira dhe rrebeshe të shkurtra shiu. Me vranësira të shpeshta por reshje të pakta mbeten Alpet Europiane.

Por vijon dominimi i kthjellimeve në Veri dhe Jug të Europës si edhe në pjesën më të madhe të Europës Qendrore. /a.y/noa.al