Transmetuar më 05-10-2017, 11:11

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përjashtohet nga seanca parlamentare e ditës së sotme.

Duke lexuar pjesë të rregullores, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi përjashtoi me një ditë nga seanca, kreun e opozitës.

Ai tha se përjashtimi shoqërohet edhe me heqjen e një dite nga paga e deputetit.

Ndërsa Ruçi i bëri thirrje që të largohej nga foltorja duke i thënë se nuk do donte që masën e parë ndëshkuese ta merrte ndaj liderit të opozitës, Basha vijoi të qëndronte, çka bëri që kryeparlamentari të marrë masën drastike.

Por edhe pas kësaj mase përjashtimi, Basha vijoi të qëndronte në foltore, duke bërë që Ruçi të ndërpresë seancën me 5 minuta, ku kreu i Kuvendit tha se synon të shërbejë si mënyrë ndërgjegjësimi që lideri i opozitës të respektojë rregulloren.

Kreu i Kuvendit bëri me dije se në rast se në rinisje të seancës Basha nuk do jetë larguar, do jetë i detyruar të thërrasë Gardën.

Gjithçka ndodhi pasi Ruçi u përfshi në debat me kreun e opozitës Lulzim Basha, gjatë kohës që diskutohej ngritja e komisionit të reformës zgjedhore.

Kjo pasi opozita po kërkon debate për këtë komision dhe kërkon që ky debat të zhvillohet pasditen e sotme.

Kurse grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkojnë që debati të zhvillohet në një seancë tjetër.

Kryedemokrati Lulzim Basha u ngrit në foltoren e Kuvendit dhe i kërkoi kryeparlamentarit që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve.

“Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani! Vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Për një afat të arsyeshëm debati ne kemi propozuar orën 16:00, nëse ju duhet më shumë kohë të përgatiteni, merrni orën 18:00. Por kjo seancë nuk mund të procedojë në shkelje totale të normave dhe rregullores të Parlamentit. Është në rendin e ditës, s’mund ta heqësh nga rendi i ditës ti sepse ke ardhur i papërgatitur. Se kështu, i bie që për katër vite të shtysh debatin për një qëllim: t’i mbyllësh gojën opozitës”, u shpreh Basha.

Ai akuzoi se kërkohet që t’i mbyllet goja opozitës, duke mos u larguar nga foltorja.

Nga ana e tij Ruçi tha se kjo çështje është e mbyllur, duke thënë se do të diskutohet në seancën e radhës.

Por vijimi i qëndrimit të Bashës në foltore ka tensionuar situatën, çka ka sjellë paralajmërimin e ashpër të kreut të Kuvendit.

“Mos e bllokoni foltoren, uluni zoti Basha. Mos më detyroni që masën e parë të përjashtimit si deputet ta marrë me ju. Tërheq vërejtje për pushtim të foltores”, deklaroi ai.

Më tej kryeparlamentari ndërpreu seancën parlamentare me 5 minuta pushim, ku në rinisjen e saj u mor dhe masa ndëshkuese për Lulzim Bashën. /a.y/noa.al