Transmetuar më 05-10-2017, 10:31

Seanca parlamentare e ditës së sotme nisi me debate, pasi në rendin e ditës parashikohet ngritja e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edmond Spaho kërkoi që të zhvillohet një debat lidhur me komisionin për reformën.

“Nuk mund të kalojë vendimi për objektin pa debat për zgjedhjet. Ne e kemi deklaruar se opozita nuk ka objektiv tjetër, përveç reformës zgjedhore”, u shpreh Sapho, duke u ndalur te shit-blerja e votës.

Në replikë ndaj tij kryeparlamentari Gramoz Ruçi, deklaroi se Konferenca e Kryetarëve ka diskutuar për ngritjen e komisionit ad hoc për reformën zgjedhore, ku u ra dakord për ngritjen e tij.

Ruçi tha më tej sa u takon precedentëve të ngritjes së këtyre komisioneve, nuk ka pasur në asnjë rast diskutime, megjithatë ai shtoi se në qoftë se grupet e tjera parlamentare janë dakord për debat, kërkoi që të shprehen.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se në Konferencën e Kryetarëve nuk u dakordësua plotësisht për komisionin, ndonëse ishin dakord për ngritjen e tij.

Ai tha se “Unë jam dakord të ketë diskutime pse jo, por jemi para një fakti të kryer. E shtyjmë seancën u japim mundësinë të gjithëve, por kërkojmë patjetër kohën që të përgatitemi për diskutimet. E miratojmë javën që vjen dhe të ketë diskutime”

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaroi se nuk mund të ketë diskutim kur nuk ka nevojë për diskutim.

“Ka të drejtë zoti Vasili kur thotë se sa herë që diskutohet ngritja e komisioneve për reformën zgjedhore nuk ka nevojë për diskutim. Nuk jam dakord që përbërja e këtij komisioni të jetë me 18 anëtarë, nuk ka bërë vaki që një komision i posaçëm të jetë më i madh se një komision i përhershëm parlamentar”, u shpreh Balla.

Ai propozoi që pika e tretë e rendit të ditës të shtyhet për seancë tjetër dhe të vazhdohet më tej me pikat e tjera, por përsëriti sërish se nuk ka nevojë për debat, pasi tha se ka kaluar me konsensus.

Pasi kërkoi mendimet e krerëve të grupeve, kryeparlamentari Ruçi tha që ngritja e komisionit për reformën zgjedhore të shtyhet për seancën tjetër. /a.y/noa.al