Transmetuar më 04-10-2017, 12:49

Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të bëjë verifikimet për të shkuarën e dy deputetëve, përkatësisht Aqif Rakipi deputet i PDIU në Elbasan dhe Gjetan Gjetani deputet i PS në Lezhë. Sipas opozitës këta dy deputetë kanë të shkuar kriminale.

Sipas shkresave të PD-së drejtuar këtyre institucioneve, ka të dhëna informale se këta deputetë janë në kushtet e ndalimit për të kandiduar apo zgjedhur pasi kanë rekorde kriminale në shtetin italian.

Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike përbëjnë indicie për të verifikuar nëse të dy këta deputetë kanë fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me  aktivitete të paligjshme të kryera në Itali.

“Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për të luftuar krimin, dhe për të nxjerrë krimin nga parlamenti dhe institucionet e shtetit. Në të kundërt, lidhur me këto dy raste por edhe të tjera që po trajtohen nga Partia Demokratike, Edi Rama dëshmon se vazhdon të mbrojë dhe promovojë krimin, se nuk ka vullnet ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit, dhe nuk ka vullnet të shkëputet nga krimi dhe aleanca politike me krimin”, thuhet në deklaratën e PD.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit. /b.l/noa.al/