Transmetuar më 01-10-2017, 15:13

Një ditë para fillimit të aksionit kundër informalitetit, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ndau mesazhin e tij për administratën fiskale dhe inspektorët në terren.

“Aksioni anti-informalitet, nuk është një aksion për të mbledhur para për buxhetin e shtetit, sepse mbledhja e taksave dhe të ardhurave ka në themel parimin e vetëdeklarimit dhe vullnetarizmit. Aksioni anti-informalitet ka në fokus kryesisht korsinë e komunikimit dhe të edukimit të tatimpaguesit dhe sigurisht, të sondimit të zbatueshmërisë së ligjit në sektorë të ndryshëm të cilët dalin në platformën tonë të menaxhimit të riskut, me risk më të lartë sesa dilnin më parë, për shumë arsye të cilat janë të kategorizuara dhe të standardizuara brenda asaj që ne e quajmë platforma e menaxhimit të riskut”. tha Ahmetaj.

Më tej ai theksoi se është detyrë e administratës fiskale, e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Inspektoritatit të Punës, që të reflektojnë në terren një zbatueshmëri shumë këmbëngulëse të ligjit dhe një modesti maksimale në përqasje me qytetarët dhe sipërmarrjen, sipas tij për të reflektuar filozofinë e një qeverie të tërë, e Kryeministrit, që administrata të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të sipërmarrjes.

“Ju garantoj që nuk do të tolerohet asnjë sjellje e padenjë, e jashtëligjshme, arrogante, e administratës tatimore, doganore apo inspektoriatit kundrejt tatimpaguesve. Kjo është taksative”, tha ministri.

Ahmetaj thirri sot në një takim zyrtarë të lartë të Administratës Tatimore, Doganore dhe Inspektoriatit të punës së bashku me grupet e zbatimit në terren, për të ndarë udhëzimet mbi planin e veprimit dhe mbarëvajtjen e aksionit.

Grupe të përbashkëta pune do të bashkërendohen mes tatimeve doganave dhe inspektoriatit të punës, duke pasur kryesisht në fokus biznesin e madh, por pa lënë jashtë vëmendjes edhe biznesin e vogël, duke realizuar kontroll të plotë në gjithë zinxhirin e transaksioneve deri tek konsumatori final. /b.l/noa.al/