Transmetuar më 28-09-2017, 22:25

Ish-deputetja e Partisë Socialiste njëkohësisht fizikane, Mimoza Hafizi, njofton se “ekipet e eksperimenteve shkencore VIRGO dhe LIGO kanë kapur një valë gravitacionale gjatë 14 Gushtit të 2017”.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo shkruan se “detektimi i tyre në shekullin 21 përbën një hap madhështor për progresin e shkencës dhe të njerëzimit”.

Hafizi njofton se “në koherencë me emocionet e këtyre ngjarjeve, nesër do të zhvillojmë në Akademinë e Shkencave një Forum interesant lidhur me Universin në Epokën e Valëve Gravitacionale”.

Postimi i plotë i Mimoza Hafizit:

Prej një muaji, komuniteti ndërkombëtar i Fizikanëve po mban frymën duke pritur lajmin e një zbulimi të madh shkencor, kapjen e një Vale të re Gravitacionale. Flitej, njihej, përshpëritej, por secili diti ta mbante sekretin shkencor brenda kufijve të etikës së profesionit, derisa informacioni të konsolidohej qartësisht.

Para pak orësh lajmi u dha nga ekipet e eksperimenteve shkencore VIRGO dhe LIGO. Vala gravitacionale është kapur prej tyre me 14 Gusht 2017. Ajo është krijuar nga përplasja gjigande e dy vrimave të zeza hapësinore para mbi një miliardë vitesh.

Valët gravitacionale janë parashikuar nga Albert Einstein 100 vjet më parë. Detektimi i tyre në shekullin 21 përbën një hap madhështor për progresin e shkencës dhe të njerëzimit. Kam bindjen se çmimi Nobel i këtij viti do t’i takojë gravitacionit dhe valëve gravitacionale.

Le të presim 13 Tetorin e Nobelit të Fizikës!

Në koherencë me emocionet e këtyre ngjarjeve, nesër do të zhvillojmë në Akademinë e Shkencave një Forum interesant lidhur me Universin në Epokën e Valëve Gravitacionale.

Në foto duket observatori VIRGO, me krahë secili nga 3 km, detektor i një shkalle marramendëse teknologjie dhe serioziteti shkencor. Sytë e shkencës sot janë drejt tij.

Besoj se zbulime drithëruese shkencore po trokasin në derën e dijes njerëzore. Është fati i brezit tonë për t’i kërkuar, gjetur dhe përjetuar.