Transmetuar më 27-09-2017, 18:17

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, drejtoi sot takimin e Shtatë të Grupit të Posaçëm të Reformës në Administratën Publike, bashkë me Michela Matuella, shefe e njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Komisionin Evropian.

Gjatë fjalës së saj, Mesi u ndal në planin që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të bashkëqeverisjes me qytetarët, plan i cili ka nisur me riorganizimin institucional, rishikimin e funksioneve të të gjitha institucioneve dhe agjencive të varësisë, me qëllim ristrukturimin e tyre për të rritur efiçiencën, çka do të rindërtojë nga themelet marrëdhënien e qytetarit me shtetin në favor të qytetarit.

Si pjesë të këtij plani, Mesi radhiti një sërë pikash të rëndësishme si: shtimi i numrit të shërbimeve publike online që do të kontribuojnë në modernizimin dhe uljen e korrupsionit, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit; modernizimi i shërbimeve me objektiv kryesor evitimin e sporteleve fizike; dhe reduktimi i livencave, lejeve dhe autorizimeve që nevojiten për kryerjen e aktivitetit, si dhe ulja në maksimum e afateve të zbatimit për to.

Në lidhje me shqetësimin e përcjellë së fundmi në opinionin publik për impaktin që mund të ketë ristrukturimi rrënjësor i sistemit të ministrive e institucioneve mbi Administratën Publike, zv.Kryeministrja Mesi nënvizoi se: “Përfitoj nga rasti që të siguroj çdo nëpunës të administratës, të cilët me korrektësi dhe profesionalizëm kryejnë detyrën kundrejt qytetarëve, se qeveria është e angazhuar për t’i mbështetur dhe promovuar më tej ata. Në të njëjtën kohë, ne do të modernizojmë shërbimet, lehtësojmë punën e tyre dhe do të ulim burokracinë për qytetarët tanë në të gjitha pikat ku shteti u shërben atyre”.

Ndër të tjera, Mesi çmoi edhe vlerësimin pozitiv të progres-raportit të fundit nga Komisioni Evropian për Reformën në Administratën Publike në Shqipëri, dhe gjithashtu shprehu vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të ruajtur këtë trend, i cili e pozicionon aktualisht vendin tonë në të njëjtin stad me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët ndodhen tashmë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

Reforma në Administratën Publike është një prej pesë prioriteteve kyçe që duhet zbatuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Grupi i Posaçëm i Reformës në Administratën Publike” është një forum i rëndësishëm ndërmjet Përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe institucioneve të Qeverisë Shqiptare, ku diskutohet progresi në lidhje me implementimin e reformave në administratën publike, decentralizimin dhe menaxhimin e financave publike.