Transmetuar më 25-09-2017, 15:09

Territori dominohet nga alternime kthjellimesh me vranësira të shpeshta deri në mesditë kur sërisht vranësirat shtohen duke gjeneruar shira afatshkurtër në zonat Qendrore dhe Juglindore.

Pasditja mbetet me vranësira dhe rrebeshe të shkurtra shiu në zonat Qendrore dhe Lindore por vranësira dhe shira të izoluar do të ketë në ultësirën perëndimore dhe Veri të territorit.

Vonë gjatë pasdites kushtet atmosferike përmirësohen dukshëm duke bërë që pjesa më e madhe e vendit të kalojë në kushtet e kthjellimeve. Temperaturat e mëngjesit do të ulen me 2°C por një rritje të lehtë do të pësojnë vlerat termike të mesditës.

Sipas MeteoAlb, era do vijojë të fryjë mesatare me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi veriperëndimor – verior ndërsa në det do gjenerohet dallgëzim 2 – 3 ballë.

Europa

Shtrirja Jugore nga Ishujt Sardenja dhe Korsika deri në pellgun e Detit të Zi do të përfshihet nga vranësira dhe rrebeshe afatshkurtra shiu.

Po ashtu, vranësira dhe shira të pakët dominojnë kushtet e motit në Veriperëndim dhe Qendër të Europës, duke përfshirë edhe zonën e Alpeve Europiane.

Sërisht Veriu dhe Verilindja e Europës si edhe pjesa më e madhe e Jugperëndimit të kontinentit mbeten nën dominimin e kthjellimeve. /b.l/noa.al/