Transmetuar më 15-09-2017, 11:30

Pas paralajmërimit të Kryeministrit Edi Rama, për pezullim të “policisë gri”, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka vënë firmën.

Në vendimin e pezullimit, ministria argumenton se kontrollet bëhen në mënyrë të rastësishme duke mos respektuar rregulloren çka vë në rrezik jetën e drejtuesve të mjeteve.

Në njoftim thuhet se ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri firmosi sot urdhrin për pezullimin e veprimtarisë së ushtrimit të kontrollit në rrugë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat e saj të varësisë.

Pezullimi i veprimtarisë së kontrollit në rrugë do të bëhet deri në ristrukturimin e këtij institucioni dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme të Rregullores së Zbatimit të Kodit Rrugor, të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.153, datë 07.04.2000, si edhe miratimin e akteve të tjera nënligjore, siç parashikojnë kërkesat e kësaj rregulloreje. Për zbatimin e këtij Urdhri ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat e saj të varësisë.

Aktualisht, kontrolli në rrugë ushtrohet në vende rastësore nga strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor edhe pse rregullorja referon që kontrolli ushtrohet në vende të posaçme, të përcaktuara me Udhëzim. Ushtrimi i kontrollit në vende të papërshtatshme paraqet rrezikshmëri, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në rrugë, por edhe për atë të kontrollorëve të rrugëve.

Gjithashtu, kontrolli ka shpesh mbivendosje me kontrollin e ushtruar nga organet e tjera të siç janë shërbimet e Policisë Rrugore dhe organet tatimore, duke sjellë shqetësime dhe pengesa në punën e operatorëve të transportit, deri në abuzime ndaj tyre dhe shkelje të sigurisë rrugore.