Transmetuar më 13-09-2017, 09:21

Presidenti Ilir Meta, në vijim të vizitës zyrtare në Itali u takua edhe me Kryetarin e Grupit parlamentar italian të Miqësisë me Shqipërinë, Senatori Salvatore Margiotta dhe anëtarë të këtij grupi.

Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vyer që Italia dhe Parlamenti italian i kanë dhënë procesit të integrimit evropian, si dhe shprehu besimin se Grupi parlamentar italian i Miqësisë me Shqipërinë do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë fazë për të mbështetur vendimmarrjen për hapjen e negociatave të aderimit për në Bashkimin Evropian.

Presidenti Meta e Senator Margiotta theksuan rëndësinë që parlamentet e të dy vendeve, me iniciativë të Grupeve parlamentare të Miqësisë, të hartojnë një agjendë të përbashkët pune e aktivitetesh në funksion të nxitjes të mëtejshme, jo vetëm të bashkëpunimit parlamentar edhe të ndërmarrjes së nismave parlamentare por edhe të lehtësimit të kontakteve mes njerëzve të fushave të ndryshme, kulturës, artit, biznesit.

Meta theksoi nevojën e arritjes së një marrëveshje dypalëshe që do të mund të adresojë sigurimet shoqërore dhe vlerësojë kontributet individuale në këtë drejtim.

Gjithashtu ai nënvizoi çështjen e integrimit dhe të gjithëpërfshirës së drejtë të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali dhe familjarëve të tyre, kontributin e tyre në ekonominë italiane dhe rëndësinë e mbështetjes së promovimit të komunitetit arbëresh si një urë e fortë të miqësisë mes dy vendeve. /b.l/noa.al/