Transmetuar më 12-09-2017, 20:30

Gazetarja me përvojë shumëvjeçare, Irena Vreto, është ndarë nga jeta pas në sëmundjeje të rëndë.

Irena Vreto, luftoi për katër vjet me radhë sëmundjen por megjithë përpjekjet e saj të forta për mbijetesë, ajo nuk ia doli dot.

E ndjera ishte gazetare për shumë vite për pjesën më të madhe të medieve kryesore në vend, kryesisht gazeta, por edhe radiot e televizionet.

Themeluesi i agjencisë së lajmeve NOA.al, Edison Kurani shprehu keqardhjen e thellë për humbjen e Irena Vretos: “Ndjej një dhimbje të thellë për ikjen e parakohshme të Irenës nga kjo botë. Vajzë korçare nga familja e dëgjuar autoktone Vreto, Irena, gjithashtu dhe mësuese letërsie për shumë kohë, ishte një ndër bashkëpunëtoret e mia në vite, duke nisur që nga gazeta “Korrieri”. Një gazetare luftarake, e papërtuar dhe plot pasion në misionin e informimit të publikut. Poete me shpirt dhe mjeshtre e tregimit, Irena na lë pas një shije të hidhur të humbjes së rëndë dhe ndarjes së dhimbshme nga jeta. Ngushëllime të sinqerta për familjen, të afërmit dhe miqtë e mes tyre, ngushëllime të veçanta edhe për miken e ngushtë të Irenës, Albana Çakshiri”.

Edhe gazetarja Albana Çakshiri shprehu sonte dhimbjen e thellë për humbjen e Irenës: “Sot ka ndërruar jetë shkrimtarja dhe gazetarja e njohur Irena Vreto. Sëmundja e rëndë për 4 vite të gjata dhe të tmerrshme triumfoi, megjithë luftën e fortë të Irenës. Nuk doja të shkruaja nje lajm te tille, për një zonjë që mirësinë e kishte lajtmotivin e jetës së saj. Për një intelektuale dhe artiste të rrallë si ajo. Natyrisht dua të jem mirënjohëse për njerëzit që e ndihmuan Irenën në këto vite të vështira”.

Ceremonia mortore për përcjelljen e të ndjerës në banesën e fundit, bëhet nesër (e mërkurë) 14 shtator 2017 te kisha e Shën Sotirit tek Parku “Rinia” në qytetin e Korçës. /noa.al/No automatic alt text available.