Transmetuar më 12-09-2017, 14:00

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, iu është përgjigjur akuzave të opozitës, ku kryedemokrati Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha por edhe opozitarë të tjerë thonë se vëllai i tij ka lidhje me krimin dhe me trafikun e drogës.

Ai tha se e presin shumë punë si ministër, por shtoi se kjo është ndoshta e fundit herë që jep sqarimin e tij, si detyrim ndaj qytetarëve.

“Opozita ka nisur një sulm të egër personal bazuar në një histori të 15 viteve më parë, të cilin e kam sqaruar me fakte. 15 vjet më parë kur unë isha ministër e ju opozitë, e ngritët këtë akuzë. Në 2010 kur ju ishit në pushtet, njëri Kryeministër e tjetri Ministër i Brendshëm, më sulmuat me të njëjtin avaz, vëllanë. Ju përgjigja akuzës tuaj si pushtetar, çfarë kam pasur për të thënë i kam thënë”, u shpreh Xhafaj.

Ai pyeti se kur demokratët ishin tetë vjet në pushtet i kishin mundësitë për të provuar akuzat por nuk  bënë, duke thënë se ju rikthyen këtij avazi në kulmin e reformës në drejtësi.

“E rikthyet këtë akuzë sërish në mars kur u bëra ministër. Nga muaji maj ju opozitarët u bëtë pushtetarë duke drejtuar Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë me ministra të emëruar prej jush. Ku janë provat dhe faktet ndërkombëtare nëse nuk ka të tilla. Por çfarë bëtë në këto katër muaj, ku kishte më mirë se të më vinit përballë me prova e fakte”, pyeti Xhafaj.

Ai tha se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore apo politike, duke thënë se prej 20 vitesh është pjesë e saj dhe se është i gatshëm të përballet në çdo moment me përgjegjësitë e tij. /a.y/noa.al