Transmetuar më 12-09-2017, 09:12

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në të parën fjalë në Kuvend pas rikthimit si deputet, ku po diskutohet programi qeverisës për katër vitet e ardhshme, tha se Edi Rama katër vite më parë premtoi vende pune, shëndetësi falas, rend, siguri dhe ulje taksash.

Por sipas tij, ditën e djeshme, fiks pas katër vitesh rikthehet në të njëjtin vend pa mbajtur asnjë premtim me shpresën se koha amniston.

“Ti nuk bëre kurrë një bilanc nuk dhe kurrë llogari. Ti e di mirë se nëse zgjedhjet do ishin të lira ti dhe ekipi yt nuk do ishit aty sot. Për shqiptarët dhe Shqipërinë ka ardhur ora e vetëdijes. ‘Rama 1’ është qeveria e parë që nuk ka bërë asnjë arritje në fushën e integrimit, madje është qeveria e parë që ka bërë hapa mbrapsht pasi disa vende të BE po konsiderojnë rikthim e vizave”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se Rama zgjodhi promovimin e pikturave të Kryeministrit, në vend të thithjes së investimeve në vend.

Kreu i opozitës deklaroi se ‘Rama 1’ është qeveria që ka marrë borxhin më të madh publik në historinë e tranzicionit me rreth 3 miliardë dollarë borxh.

Basha tha se arritjet e qeverisë ‘Rama 1’ në fushën e krimit janë historike, duke nënvizuar Shqipëria u shpall nga DASH dhe Europol vendi kryesor i trafikimit të lëndëve narkotike, madje tha se ndërkombëtarët kërkuan largimin e Ministrit të Brendshëm si të lidhur ngushtësisht me krimin.

Ai tha se gjatë katër viteve të kaluara ka ndodhur eksodi më masiv i shqiptarëve, duke u renditur në dy vendet e para të azilkërkuesve në Europë.

Para se ti jepte fjalën kryeparlamentari Gramoz Ruçi deklaroi prerë se koha e diskutimit nuk ka asnjë tolerim, por se është 20 minuta.

Megjithatë për kreun e opozitës, ai nënvizoi se duke qenë se po diskutohet programi qeverisës i dha të njëjtën kohë sa foli Kryeministri Rama ditën e djeshme 41 minuta e 02 sekonda. /a.y/noa.al