Transmetuar më 08-09-2017, 20:05

Kjo është historia sa e gëzueshme aq edhe e trishtë e një gruaje, e cila prej 20 vitesh dëshironte shumë të kishte një fëmijë. Atifa Ljajic u bë nënë në moshën 60 vjeç, por kur më në fund ndodhi mrekullia për të, bashkëshorti i saj e braktisi.

Sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, 68 vjeçari Serif Noki ndryshoi mendje kur dëgjoi beben të qante në maternitet dhe i tha gruas se ishte tepër i plakur për t’u marrë me të qarat e fëmijës. Ai vendosi që të largohej ditën kur bebja mbërriti në Novi Pazar, në Raska të Serbisë.

68 vjeçari i tha bashkëshortes së tij Atifa se vajza e porsalindur do ta mbante zgjuar gjatë natës duke qarë. Kur u përball me faktin se po braktiste nënën e re, gruan me të cilën kishte jetuar për vite me radhë, Serif tha; “Ajo mori atë që donte tani është e lumtur”.

Sipas tij, të jetuarit me beben në këtë moshë do të ishte shumë e dëmshme për shëndetin e tij. Rasti i Atifas u konsiderua si një shtatzëni e rrezikshme dhe për këtë arsye ajo qëndroi në spital për tre muaj.

Serif deklaroi se e kishte pranuar zgjedhjen e gruas së tij për të vijuar me shtatzëninë, ndonëse fillimisht nuk kishte qenë dakord. Megjithatë, kur Atifa mori në krahë vajzën e tyre Alina, Serif vendosi që nuk donte të ishte më pjesë e familjes.

Vetë Atifa thotë se do ta rrisë e vetme foshnjën ndonëse nuk ka shumë para. "Çfarëdolloj gjeje të ndodhë, do ta rris Alinën në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të jetoj vetëm për të. E di që nuk do të jetë e lehtë, por besoj se ka ende njerëz të mirë që do të duan të më ndihmojnë", shprehet gruaja.