Transmetuar më 04-09-2017, 12:56

Pasi u zgjodh kreu i ri i Akadenmisë së Shkencave, ka ardhur edhe reagimi i fortë i kryeministrit Edi Rama. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama deklaroi publikisht ndërprerjen e fondeve për Akademinë Shkencore.

“Meqë "Akademia" zgjodhi farsën uroj të gjejnë dhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor”, shkruan Rama.

Më herët sot para nisjes së mbledhjes për zgjedhjet në Akademi kryeministri kërkoi reformë ose nuk do të jepej asnjë lek, por do u merrej edhe ndërtesa. Ai tha i vendosur se nëse nuk ndodh reformim, nuk do të jepet më asnjë qindarkë.

“Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave, nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj stop farsës”, shkruajti më herët Rama në Facebook.

Pas votimit, anëtarët e Akademisë kanë zgjedhur Gudar Beqirajn si kryetarin e ri me 28 vota pro dhe 3 kundër.

Beqiraj zëvendëson në këtë post, Myzafer Korkutin. Ky i fundit është zgjedhur zv/kryetar i Akademisë me 27 vota pro.

Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë shoqëruar me një debat të madh mes anëtarëve dhe Artan Fuga ka qenë një nga kundërshtarët e këtyre zgjedhjeve, duke i quajtur si farsë.

E themeluar më 1972, Akademia e Shkencave është institucioni më i madh shkencor në Shqipëri. Me 26 anëtarë, akademikë; 13 anëtarë, akademikë të asociuar dhe 26 anëtarë nderi, akademia ka dy seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe atë të Shkencave Natyrore dhe Teknike. /b.l/noa.al/