Transmetuar më 31-08-2017, 19:32

Masat për rritjen e besimit do ta forcojnë miqësinë dhe si dy fqinj të mirë do të zgjidhim të gjitha problemet, përfshirë edhe kontestin rreth emrit të Maqedonisë.

Ky ishte mesazhi pozitiv që përcollën dy shefat e diplomacive, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias. Ministri i jashtëm greke tha se çështja e emrit duhet të zgjidhet në bazë të rregullave të shkruara, duke iu referuar kështu vendimit të Bukureshtit se pa zgjidhjen e çështjes së emrit Maqedonia nuk mund të ketë integrim në NATO.

Duke iu shmangur emrit Maqedoni, Koctzias në paraqitjen e tij vendin e ka quajtur “Shtet Verior mik dhe i dashur”.

“Sa i përket NATO-s, ekzistojnë vendimet nga Bukureshti. Me zbatimin e atyre vendimeve, ky vend do të bëhet anëtare MATO-së. Se si do të realizohen ato vendime, nuk varet nga ne, varet nga ata që duhet të vendosin….Besoj se e ardhmja i takon bashkëpunimit tonë dhe se do të gjejmë guxim që ti tejkalojmë të gjithë elementët që mbajnë në këtë absurditet. Pra, do të krijojmë më shumë besim, kreativitet që të zgjidhim problemet tona, të çrrënjosim çdo irredentizëm dhe të nesërmen të luajmë vallen e kulturave të përbashkëta”, deklaroi Nikos Kotzias.

Ministri i jashtëm Dimitrov, tha se dy vendet duhet të lënë anash të kaluarën apo historia të shërbejë si mësim dhe jo burg në rrugën e tyre drejt të ardhmes. I pyetur nëse do të ndryshojë emrin e aeroportit, ato të rrugëve, apo nëse do të heqë statujat Dimitrov me një përgjigje diplomatike tha se vendi synon “Evropën e Madhe” dhe premtoi se do të bëjë gjithçka që mundet në këtë drejtim.

“Gjithkund ku mund të reagojmë do të reagojmë. Sepse është sinjal shumë i gabuar, ashtu siç ne nuk jemi të lumtur kur harta e madhe e dikujt hyn në territorin e Republikës së Maqedonisë, ashtu e kuptojmë se as Greqia nuk është e lumtur kur ne ose dikush tërheq vëmendje me hartë të madhe.

Mendoj se është viti 2017-të. Mendoj se dy popujt shumë do të jetojnë të lumtur nëse ka ura dhe dyer të hapura. Nuk mund të them ndonjë plan konkret, në kontekst të pyetjes tuaj për statujat.

Nuk më duhen qindra statuja që të bëhem maqedonas krenar. E as nuk më pengon nëse ndonjë qytetar grek në Selanik emërtohet maqedonas”, deklaroi Nikolla Dimitrov

Ai tha se takimet mes dy shteteve do intensifikohen në drejtim të njohjes me problemin dhe gjetjes së zgjedhjes së pranueshme për të dy vendet. Edhe shefi i diplomacisë Kocijas tha se interes parësor për Athinën mbetet stabiliteti i rajonit dhe integrimi i tij në NATO.

Gjatë vizitës në Shkup, shefi i diplomacisë greke është pritur edhe nga presidenti Gjorge Ivanov, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, kryeministri, Zoran Zaev, Zv/kryeministri, Bujar Osmani, lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Vizita e kreut të diplomacive greke është shoqëruar edhe me një protestë të disa dhjetëra personave të “Manifestit maqedonas” të cilët kërkonin ndërprerjen e negociatave me Greqinë.