Transmetuar më 31-08-2017, 11:30

Apple do të mbajë një konferencë më 12 shtator, ku do t’i prezantojë botës të shumëpriturin iPhone 8. Kjo gjë është pothuajse 100 për qind e sigurt.

Por, kur do të mund të blihet iPhone i ri? Gazeta prestigjioze “The Wall Street Journal” ka mësuar nga burimet e saj, me njohuri rreth planeve të Apple, se në ngjarjen e planifikuar për 12 shtator do të zbulohen tre iPhone të rinj – me shumë gjasë iPhone 8, iPhone 7S dhe iPhone 7S Plus.

Në konferencën e 12 shtatorit pritet të prezantohet edhe një Apple Watch i ri, me çip për lidhje me internet.

Kujtojmë se "iPhone 8" është emër i pakonfirmuar i telefonit të ri mobil të Apple. Nuk është bërë e ditur ende zyrtarisht se si do të quhet iPhone i ri.

Ky vit shënon 10 vjetorin e iPhone, prandaj përkundër raportimeve për vonesa, Apple është i vendosur të befasojë me dizajn të ri dhe me specifika të reja.

iPhone 8 pritet të ketë ekran të madh OLED, mbi tërë sipërfaqen e përparme, dhe sistem për njohjen e fytyrës së përdoruesit.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, iPhone i ri (dhe modelet e reja 7S) do të dalin në shitje 10 ditë pas prezantimit, sipas traditës së Apple, shkruan express. Pra, të premten, më 22 shtator 2017.

Nëse ndodh që prodhimi të zgjatë më shumë, atëherë disa njerëz do të duhet të presin më gjatë për të harxhuar 1.000 dollarë, siç parashihet të jetë çmimi, për të blerë iPhone 8. /b.l/noa.al/