Transmetuar më 12-08-2017, 16:07

Policia bën publik emin e personit që u aksidentua për vdekje nga deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi.

Raportohet se viktimë e ngjarjes ka mbetur Seit Storra, 54 vjeç, banues në Kus të Kasharit. Po ashtu mësohet se viktima ka qenë tregtar në afërsi të zonës ku ndodhi edhe aksidenti i rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, deputeti Rakipi shkoi vetë në polici për të raportuar atë që kishte ndodhur.

Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar hetim në gjendje të lirë për deputetin. Sipas organit të akuzës, deputetit i është prerë rruga nga kalimtari dhe nuk kishte asnjë mundësi manovrimi në momentin e ngjarjes.

Edhe policia sqaroi menjëherë të gjithë dinamikën e aksidentit, duke siguruar hetim dhe zbardhje të plotë. 

"Çdo veprim është kryer me korrektësi të plotë nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Policia e Shtetit nënvizon edhe njëherë, se është dhe do vazhdojë të jetë garante e zbatimit të ligjit pavarësisht nga statuset apo përfaqësimet e subjekteve", sqaroi policia në lidhje me këtë ngjarje, e cila nuk i shpëtoi konotacionit politik. /k.k/noa.al/