Transmetuar më 12-08-2017, 13:41

Policia e Shtetit del me deklaratë sqaruese lidhur me aksidentin me pasojë vdekjen ku u përfshi deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi, ku me mjetin e tij përplasi për vdekje një kalimtar. Menjëherë me marrjen e njoftimit, thuhet se janë marrë masa për sigurimin e vendit të ngjarjes, dhe kryerjen e veprimeve proceduriale me drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksident.

Pavarësisht lëvizjes nga vendi i ngjarjes dhe paraqitjes në Komisariatin e Policisë të drejtuesit të automjetit, policia thekson se, janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale, ekzaminimet e ndryshme kriminalistike, testi i alkoolit dhe sqarimi i rrethanave të ngjarjes.

Automjeti i përfshirë në ngjarje, ndodhet në ambientet e Komisariatit të Policisë në gjendjen e dorëzimit menjëherë pas ngjarjes, i sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Çdo veprim është kryer me korrektësi të plotë nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Policia e Shtetit nënvizon edhe njëherë, se është dhe do vazhdojë të jetë garante e zbatimit të ligjit pavarësisht nga statuset apo përfaqësimet e subjekteve .

Ky reagim vjen pasi Partia Demokratike hodhi akuza të forta, duke thënë se Aqif Rakipi është mik i Kryeministrit Edi Rama dhe se po tentohet të fshihet ngjarja, duke manipuluar provat

Partia Demokratike i kërkoI Policisë së Shtetit të bëjë publike ngjarjen dhe i kërkoI prokurorisë hetim të plotë e të pandikuar politikisht.

“Të dhënat janë se deputeti mik i Ramës ka qenë me shumë shpejtësi kur ka përplasur për vdekje personin dhe është larguar edhe nga vendngjarja me makinën e tij. Prishja e vendngjarjes do t’ju sjellë vështirësi eksperteve në përcaktimin e shkaqeve te aksidentit”, thuhet në deklaratë.

Por për këtë ngjarje ka reaguar edhe PDIU dhe më konkretisht ndaj Partisë Demokratike.

“PD, në mjerim, kërkon të bëjë politikë e opozitë me një aksident tragjik. Prokuroria e Policia të mos ndikohen politikisht. Është për të ardhur keq që përpiqet mjerisht të abuzojë me raste aksidentesh e fatkeqësish. PDIU i kërkon Prokurorisë dhe Policisë të mos ndikohet politikisht në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike”, thuhet në deklaratën e PDIU, ku shprehen ngushëllime për familjen e viktimës.

Më herët, policia bëri me dije se rreth orës 04:41, në rrugën interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me tregun ushqimor, ka ndodhur një aksident automobilistik.

Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete.

Në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, komisariati i Policisë nr.2 ka njoftuar që në këtë komisariat është paraqitur deputeti Aqif Rakipi, me automjetin e tij, tip “Mercedes” i dëmtuar në pjesën e përparme të tij.

Rakipi deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej në komisariat.

Policia thotë se është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur.

Në këto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas ekspertit autoteknik të policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e këmbësorit S.S., rreth 53 vjeç.

Aqif Rakipi në zgjedhjet e 25 qershorit nën siglën e PDIU, siguroi mandatin e deputetit në qarkun e Elbasanit. /a.y/noa.al