Transmetuar më 12-08-2017, 09:12

Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Ndërtimi” ka vënë në pranga dy specialistë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë, për “Shpërdorim detyre” lidhur me një ndërtim pa leje.

Gjithashtu është arrestuar një qytetar dhe nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur procedim disiplinor, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për katër punonjës policie të Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë për mos veprim.

Të arrestuarit janë Jetnor Gjoka, 47 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë; Amarildo Duka, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë dhe Dritan Bregasi, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, pasi gjatë mbrëmjes së të premtes, në vendin e quajtur rruga “Xhanfize Keko”, pallati ML, Gjoka ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente në një sipërfaqe ndërtimi garazhi prej 530 m2.

Por nga ana e Inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të banorëve të pallatit, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Gjithashtu në lidhje me këtë vepër penale nga SHÇBA janë kryer veprime proceduriale penale mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit nr.4, Tiranë, konkretisht punonjësit e policisë me iniciale Xh.M., Y.H., F.D., dhe E.H., të cilët në përmbushje të detyrave funksionale të tyre janë mjaftuar vetëm me komunikimin verbal të specialistëve të IMT.

Gjithashtu ndaj punonjësve të policisë ka nisur dhe procedimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mos veprim.

Lidhur me këtë rast materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”. /a.y/noa.al