Transmetuar më 11-08-2017, 20:22

Nga një auditim i KLSH-së, për zyrat e Hipotekës dhe ALUIZNI-t, rezulton se në 4 vjet dëmi ekonomik që i kanë shkaktuar shtetit këto institucione është 2,4 mld lekë.

Për këtë KLSH thotë se “janë rekomanduar: 137 masa largim nga puna, 134 masa vërejte deri në largim nga puna, si dhe janë kallëzuar penalisht 196 punonjës dhe drejtues të ALUIZNI dhe ZVRPP.”

Përgjatë periudhës 2013 – 2017, KLSH ka realizuar në këto institucione 40 auditime nga të cilat 22 në ZVRPP dhe 18 në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t.

Sipas KLSH nga 40 auditime (në total), të zhvilluara nga KLSH në këto institucione (ALUIZNI dhe ZVRPP), përgjatë periudhës 2013 – 2017, në 36 prej tyre (90%) KLSH ka hartuar dhe depozituar pranë organeve përkatëse të prokurorisë në rrethe kallëzime penale për 196 punonjës të këtyre institucioneve të nivelit: ish-Drejtues, Përgjegjës Sektori dhe Specialistë (mesatarisht janë kallëzuar rreth 5 persona për çdo subjekt të audituar).

KLSH thekson që krahas dëmit ekonomik të matshëm në këto institucione (ALUIZNI dhe ZVRPP) ekziston edhe një dëm ekonomik i fshehur dhe i pamatshëm.