Transmetuar më 11-08-2017, 11:10

Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili kërkon që Kryeministri Edi Rama të mbledhë qeverinë lidhur me situatën e zjarreve që kanë përfshirë vendin prej më se një muaji.

Ai thotë se Shqipëria është pa qeverisje dhe pa qeveri.

Në një postim të bërë ditën e sotme në Facebook, Vasili shprehet se me gjithë katastrofën e zjarreve në gjithë Shqipërinë, mbytjet që vazhdojnë në plazhet tona, ku përmend se edhe dje në Vlorë pati një tjetër rast fatkeq e ku kurrkush nuk e ndihmoi, mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm si ankth i përditshëm i mijëra pushuesve, në asnjë rast nuk u pa as qeveri e as qeverisje që të mblidhej, të vendoste, të zgjidhte dhe t’u printe punëve në këto ditë halli.

“Dikush duhet t’i shpjegoje këtij Kryeministri që e ka detyrë kushtetuese të mbledhë qeverinë e këtij vendi, sepse kushtetuta nuk e njeh Facebook-un e tij veror si qeveri. Qeveria e këtij vendi, kushdo qoftë ajo, ka përgjegjësi dhe detyra të patejkalueshme dhe ajo duhet të mblidhet dhe t’i ushtrojë ato, pasi parlamenti atë ka votuar dhe përgjegjësi pa zot nuk ka”, shkruan Vasili.

Në mbyllje ai shton se , ky Kryeministër “shkollëpak që kemi’ nuk ia thotë hiç nga Kushtetuta, pasi Kushtetutë sipas tij, ka dënglat ne erë dhe hallin që nuk ta zgjidh, por ta lë na derë. /a.y/noa.al